Qeveria fton edhe një herë Listën Serbe

Loading...

Zyrtarët serbë në Qeverinë e Kosovës kanë ngrirë pozitat e tyre në shenjë pakënaqësie të votimit të Ligjit të Trepçës që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

Por pas katër muajsh gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë. Këta të fundit nuk i janë kthyer punës dhe funksionimit në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe, muaj më parë ka bërë të ditur gjithashtu se presin nga Qeveria e Kosovës që fjalët t’i kthejë në vepra dhe t’u bëjë thirrje të kthehen në institucionet e Kosovës.

Kurse në një prononcim për Indeksonline,  zëdhënës i Qeverisë dhe këshilltari politik i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu ka theksuar se janë shumë të interesuar që të mos ketë kurrfarë bojkoti apo ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e shtetit nga Lista Serbe.

“Jemi shumë të interesuar që të mos ketë kurrfarë bojkoti apo ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e shtetit tonë nga Lista Serbe. Por ata kanë përzgjedhur një qasje të tillë e cila në rend të parë do të shkoj në dëm të kualitetit të jetës së komunitetit serb dhe begatimit të drejtave të tyre në Kosovë”, ka thënë Abdullahu.

Sipas këtij të fundit përkundër kësaj duhet të kuptohet se nuk mund të bëhet politikë jashtë institucionale në Kosovë.

“Por përkundër kësaj duhet ta kuptojnë të gjithë se, nuk mund të bëhen politika jashtë institucionale në Kosovë, nga askush, aq më pak të ketë interferime e dirigjime nga jashtë”, ka shtuar Abdullahu.

Në bazë të Abdullahut duhet të kuptohet drejtë se pjesëmarrja aktive në jetën institucionale në Kosovë si dhe përpjekja e pa hile për të shtyrë përpara projektet qeveritare janë premisa bazike për çdo forcë politike për të siguruar një zhvillim normal, prosperitet për të gjithë pa dallime dhe integrime evropiane.

Ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë faktin se Lista Serbe edhe pse ka muaj që ka ngrirë punën në institucionet e vendit, ata vazhdojnë të paguhen nga po këta të fundit.

loading...
Loading...

Ju mund të lexoni edhe Më tepër nga Autori