Vitit 2017 i duhet një kthesë e re, nga Jaku Krasniqi .

Loading...

Kur kemi parasysh se si kanë rrjedhë gjërat në vitet paraprake çështja që shtrohet është të dihet nëse mund të presim diçka më mirë në vitin 2017?

Nëse kemi parasysh faktet tanimë të dëshmuara në tri vitet paraprake (2014, 2015 dhe 2016), që janë përmbyllur nga i njëjti staf e shtof qeverisës, secili vit është më i dështuar se tjetri! Ndaj shpresat se në vitin 2017 do të kemi ndonjë kthesë pozitive janë pothuajse minimale. Të gjithë e dimë se fundviti 2014 dhe fillimviti 2015 janë përcjellë me një ikje masive të shqiptarëve në drejtim të Evropës Perëndimore dhe të gjithë thoshim: “një vit i tillë mos u përsërittë më”! Dëshirat janë dëshira e realiteti mbetet më se i hidhur. I hidhur për gjeneratat e reja, të cilët të gjitha shpresat i kanë varur në zgjidhje individuale të problemeve,duke iu vardisur të fuqishmëve ose në ikje “kah sytë këmbët”! I hidhur ishte edhe për gjeneratën e tretë, e cila përveç që jeton e vetmuar, në masë të madhe jeton edhe me shpresa të thyera! Të dyja këto mosha, marrë së bashku, kërkojnë drejtësi sociale e solidaritet shoqëror dhe që të dyja janë duke na munguar shumë!

Vitin 2015 e vlerësonim me të drejtë si vitin e mashtrimeve dhe të dështimeve të mëdha për shumë ke në republikën tonë. Viti 2015 për çdo qytetar të Kosovës ishte vit ku nuk mund të ndiheshin mirë, përveç qeveritarëve, grupeve informale të rreshtuar rreth tyre dhe oligarkisë financiare e politike që përfitonin në mënyrë të jashtëligjshme. Në fundvitin 2015 të gjithë mendonim e uronim që Viti i Ri 2016 të na sillte diçka pozitive, një përmbajtje të re, një funksionim ndryshe. Por fundi i tij tregoj se numri i të punësuarave ishte zvogëluar për 25.000 punëtorë më pak se në vitin paraprak. Me të drejtë çdo njëri i dëshpëruar shtronte pyetjen se ku mbetën premtimet mashtruese të qeveritarëve, që gjatë fushatës zgjedhore premtonin “male të tëra qumështi e mjalti”!

Kur kemi parasysh se si kanë rrjedhë gjërat në vitet paraprake çështja që shtrohet është të dihet nëse mund të presim diçka më mirë në vitin 2017?

Unë për vete nuk besoj. Aq më keq kur shohim se si filloi ky vit. Kërcënime të vazhdueshme të Serbisë dhe arrestimi i Ramush Haradinajt janë vetëm dy ngjarjet që duhet parë si një fillim paralajmërues për ketë vit, mbase edhe për të ardhmen . Nëse këtyre ngjarjeve u shtojmë edhe veprimet që priten të ndërmerren nga Gjykatës Speciale kundër luftëtarëve të UÇK-së atëherë nuk mbetet vend ku të mbështesin optimizmin njerëzit që vërtetë ia duan të mirën Kosovës. Për ata që me veprimet e veta të mbrapshta apo për mosveprimet në interes të Kosovës është e mirëseardhur: ata në këtë situatë i fërkojnë duart!

Është e vërtetë se gjatë viteve të fundit edhe në shumë vende me demokraci të zhvilluar ka pasur probleme të mëdha në shpërndarjen e të mirave materiale, me punësimin e njerëzve, me pagat e tyre, me përkujdesjen shëndetësore, solidaritetin shoqëror etj. Në medie lexuam këto ditë se “ 62 njerëz të pasur kanë grumbulluar pasuri më shumë se gjysma e popullsisë së botës marrë se bashku”! Kështu është në plan Botëror, por cila është gjendja në vendet me demokraci të pa konsoliduar siç është vendi ynë? A kemi ndonjë statistikë e cila na tregon se cilët janë të pasuritë tanë?! Madje kush e krijoj ketë gjendje (jo vetëm në planin kombëtar) me plotë rreziqe, të pasuritë apo të varfrit? Sigurisht që nuk mund të gjenden statistikat e nevojshme sepse ne nuk kemi pasur vullnet të ndërtojmë kapacitete administrative për të pasur të dhëna të sakta statistikore. Statistikat janë treguesi shumë i rëndësishëm se nga duhet drejtuar zhvillimi i vendit. Nëse në vendet me demokraci të zhvilluar e tradicionale ka pasur rënie të pagave e shtim te fitimit, cila është gjendja me të punësuarit tanë në veprimtaritë biznisore? Madje edhe në ato veprimtari siç janë bankat komerciale të cilat kanë pasur fitime marramendëse. Apo në monopolet e krijuara nga oligarkia politiko-financiare? Të mos flasim për veprimtaritë tjera të cilat ndoshta kanë pasur ndonjë vështirësi. Atëherë çka mund të prodhoj kjo gjendje?

Nëse i përcjellim mediet e shkruara e elektronike në hapësirën gjithëshqiptare, përfshirë edhe rrjetet sociale të komunikimit vërehet frustrimi, zhgënjimi, arroganca, mungesa e edukatës dhe e kulturës, shkalla e ultë të arsimit etj. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: çka prodhon ky ambient shoqëror me ketë shkallë të lartë të frustrimit e zhgënjimit? Thënë shkurt e shqip, i prodhon të gjitha format e ekstremizmit e te mercenarizmit. Dhe natyrisht, ky problem nuk është i shfaqur vetëm në vendet me ekonomi të pa zhvilluara dhe të prapambetura në rrafshin kulturor, por edhe në vendet e zhvilluara te Botës Perëndimore! Si duket kjo është pasoj, se qeveritë edhe të vendeve të zhvilluara “po ju kushtojnë më shumë vëmendje atyre që kanë më se shumti para”.(Brian Eno; 2016/2017, Koha Ditore, 4 janar 2017). Kur kësaj i shtojmë edhe konfliktet mbi baza kulturore që nuk janë lehtë të arsyetueshme, pasi në shumë vende te botës dallimet me baza kulturore kanë bërë që njerëzit të jetojnë për bukuri atëherë situata bëhet edhe më e vështirë. Ndërsa ka vende me dallime të pa rëndësishme kulturore si vendet arabo-islamike apo ato të Ballkanit, ndërprerja e konflikteve duket të jetë e pa shpresë! Në këtë situatë shtrohet pyetja se çka është duke ndodhur në vendet ku historikisht është prodhuar kultura e civilizimi botëror? Ndoshta këtu ndihmën duhet ta kërkojmë te George Monbiot, i cili thotë: “Penda mund të jetë më e fuqishme se shpata, por kuleta është më e fuqishme se pena”. (Po aty). Përgjigjja del haptazi nga fakti se dikush po kërkon që ta mbush kuletën mbi fatkeqësinë e fëmijëve jo vetëm te Sirisë.

A nuk ishte kjo gjendje para pak vitesh edhe tek ne? Sipas të gjitha gjasave, fatkeqësitë e njerëzimit, si dje ashtu edhe sot, nuk i kanë ardhur nga shumësia e të varfërve, por nga pakica e të pangishmeve për të jetuar ata në luks e me kuleta të fryra. Eh pra, pasi “kuleta është më e fuqishme se pena (lexo mendja)”, demokracia ka mbetur pa mendjet e ndritura, sidomos te shekujve XVIII e XIX e mbase edhe të atij të shekullit XX. Dhe kjo ndodhi jo pse mungojnë mendjet e ndritura por pse fuqia është bartur te “kuleta e jo te mendja”. Por, gjithsesi, të Mëdhenjtë e mendimit të avancuar politik e filozofik sikur kanë ngecur diku! Prandaj kemi shenja të një dehumanizimi shoqëror. Mbase faji po dihet edhe pse po përpiqet të paraqitet si jetim!

Atëherë, ku duhet orientuar investimet në të ardhmen? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte: në Arsim dhe Edukim. Nuk ka asnjë dyshim! Madje, shumë vende edhe te zhvilluara të botës kanë nevojë për një reformë të thellë në procesin e arsimit e të edukimit. Kur kjo gjendje nuk është e mirë në shumë vende të zhvilluara, atëherë cila është gjendja në arsimin tonë, tradita e të cilit mezi e kalon një shekull? Raporti i PISA-së na ka treguar se ku gjendemi, por jo pse nuk e kemi ditur edhe vet. Se e “dinë luga se çka ka vegshi” thotë një urti e jona. Por, tek ne shtrohet pyetja:Me ketë gjendje që kemi, në të gjitha nivelet e arsimit dhe edukimit, me këta njerëzit që e sollën arsimin, edukimin, ekonominë dhe çdo gjë tjetër në ketë gjendje të mjerueshme, a mund të na ofrojnë ndonjë shtegdalje? Unë nuk besoj aspak.

Me ketë nivel të debatit që kemi në secilin komunitet të organizuar shoqëror, në ASHAK e Institute të tjera shkencore, me ketë përgjegjësi politike e institucionale që kemi instaluar tash e 17 vjet, në parti politike, Kuvend, Qeveri e Sistem të Drejtësisë e kemi tejet të vështirë të dalim nga lëkura e mjerimit në të cilën e kemi futur kombin e shtetin.

Pa një debat të thellë shoqëror e sidomos në partitë politike dhe elitën intelektuale, një debat përmbajtjesor për ta bërë shtetin e së drejtës, për të bërë reforma në Arsim e Edukim, reforma që do ta vlerësojnë dijen e jo “kuletën” a fuqinë e epsheve për pushtet, dalja nga kjo krizë është e vështirë. Mundësi ka gjithnjë për ta gjetur rrugën e duhur te daljes, por a kemi vullnet politik e shoqëror të ecim tutje, në rrugën e zhvillimit e të progresit? A kemi dije e dashuri për ta nxjerr kombin e shtetin nga kjo letargji e stërzgjatur? Këto pyetje kërkojnë përgjigje të studiuara mirë e saktë!

Vërtetë, një Rilindje e Re shoqërore e kombëtare na duhet të fillojë urgjentisht! Kjo Rilindje e Re vjen vetëm përmes përkushtimit të përpilimit të një strategjie të programuar hollësisht për zhvillimin e gjithanshëm të kombit dhe shteteve tona.

Ndaj, në viti 2017 duhet qe t’i angazhojmë te gjitha kapacitetet politike e intelektuale që i kemi, që të jetë vit i një kthese të re!

loading...
Loading...

Ju mund të lexoni edhe Më tepër nga Autori