Koordinatori i Departamentit për Bujqësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Naim Ismajli, ka ironizuar me dënimin e këshilltarit të ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, dje me një mijë e 500 euro gjobë për falsifikim të votave në vitin 2017.
Në një postim në Facebook, Ismajli ironizoi me partinë e Pecit, duke shkruar “Guxo për të kapur”.
Ai theksoi se Peci për plot dy vjet ka mbajtur si këshilltar politik një person me aktakuzë.
“Guxo për të kapur (Pjesa e II-të)!
Skandalet në Ministrinë e Bujqësisë, që drejtohet nga Faton Peci nuk kanë të ndalur. Këshilltari i tij politik, Enis Osmani është dënuar dje për vjedhje votash në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në vitin 2017.
Pra, ministri Peci për dy vjet në kabinetin e tij ka mbajtur një person me aktakuzë, tashmë të vërtetuar.”, ka shkruar Ismajli.
Tutje, ai ka përmendur edhe emërimin e vajzës së tezes së presidentes Vjosa Osmani si drejtoreshë të Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, si shembull të punësimeve partiake e joprofesionale nga ministi Peci.
Gjithashtu ai ka thënë se Qeverinë Kurti e karakterizojnë gënjeshtrat, vjedhjet dhe mashtrimet.
“Pas emërimit të tezakes së presidentes Osmani, Venera Çerkini, drejtoreshë në Agjencionin për Zhvillim të Bujqësisë, skandali me këshilltarin është një tjetër shembull i punësimeve dhe rehatimeve të familjarëve pa integritet moral e profesional nga ky ministër.
Për më tepër, gjetjet e Raportit të Auditorit në këtë ministri evidentojnë një varg shkeljesh me keqpërdorimin dhe keqmenaxhimin e parasë publike.
Ja çka e karakterizon këtë qeverisje: gënjeshtra, mashtrim dhe vjedhje, të cilat çdo ditë po bëhen publike.
Demagogjisë po vie fundi!”, tha Ismajli.
Këshilltari i ministrit Faton Peci, Enis Osmani, dje është dënuar me një mijë e 500 euro gjobë me akuzën për falsifikim të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.