I dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill do të vazhdojë sot dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hill filloi dëshminë e tij para dy ditësh ku tregoi se si kishte nisur të mirrej me çështjen e Kosovës. Ai tha se kjo ishte kërkesë e ish sekretares amerikane, Madeline Albright që ia bëri atij në atë kohë.
“Së pari jam përfshirë [në çështjen e Kosovës] nga SHBA në maj të vitit 1998, mora telefonatë nga Madeline Albright që më kërkoi të merrja përsipër postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë, ku i raportoja sekretares së shtetit, Madeline Albright. E kuptova rolin tim që ne duhet të ofronim mbështetje dhe zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim të zbrasnim forcat atje nga dhuna në rritje, jam përpjekur me kolegët që në fillim fare të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë që të rikthehej autonomia e Kosovës dhe në mënyrë të tillë që të kishte qeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha fillimisht ai.
Përveç kësaj, Hill sqaroi edhe takimin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova me Millosheviqin duke thënë se ky takim ishte kërkesë e ambasadorit, Holbrooke.
“Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë unë shkova me të dhe ne u ulëm me Presidentin Rugova, edhe pse nuk e kishim menduar paraprakisht, ambasadori mendoi që do ishte ide e mirë që Presidenti Rugova të takohej me Millosheviqin në Beograd sepse shpresonte që ky takim do të zgjidhte shumë probleme, unë isha më skeptik. Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj që kjo e dëmtoi atë sepse nuk mendoi që kishte mendim të fuqishëm në Kosovë se takimi me Millosheviqin mund të ndihmonte për situatën në Kosovë, ai ishte i shqetësuar por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte sugjerim nga ambasadori. Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoi që kundërshtimi ndaj tij po rritej sepse kishte përshtypje që ai nuk po arrinte progres. Ai po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë, sepse Bosnja kishte rrugë-dalje falë marrëveshjes së Deytonit”, tha Hill.
Tutje, Hill kujtoi edhe takimin e tij të parë me ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe përshtypjet e para që ia dha ai gjatë këtij takimi.
Hill thotë se pas takimit me Thaçin, ai kishte përshtypjen se Thaçi ishte më i përshatshëm për ambient universitar sesa atë ushtarak.
Diplomati amerikan shtoi se nga takimi me Thaçin ai nuk e kishte përshtypjen se Thaçi e udhëhiqte dhe kishte nën kontroll UÇK-në.
“Më kujtohet takimi i parë (me Thaçin), por nuk më kujtohet sepse kam thënë që kemi qenë të ulur për tokë, sepse më kujtohet që kemi qenë të ulur në disa stola, dhe më kujtohet që ata erdhën me armë në duar dhe më kujtohet që unë i thash që ‘ne nuk ndihemi rehat të negociojmë me persona që kanë armë në duar’, dhe më pas iu kërkova që armët t’i mbajnë jashtë shtëpisë. Ai fliste butë, në mënyrë të mendueshme dhe më kujtohet përshtypja që ai ishte më tepër i përshtatshëm për një ambient universitar sesa për një mjedis ushtarak. Ishte në mesin e tre personave që erdhën, por nuk e kisha përshtypjen që ai ishte në kontroll (të UÇK-së).”, tha Hill.
Hill vazhdon dëshminë e tij sot nga ora 09:00.
Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.

