Dhjetëra kolonë izraelitë kanë sulmuar dy fshatra palestineze, duke djegur automjete dhe prona të tjera.
Associated Press raporton se kolonët u përleshën edhe me policinë izraelite, e cila u përpoq t’i ndalonte.
Katër palestinezë mbetën të plagosur, ndërsa dhuna e kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar vazhdon të përshkallëzohet. Video të shpërndara në mediat sociale tregojnë dy kamionë të djegur të përfshirë nga flakët, ndërsa edhe një ndërtese aty pranë i ishte vënë zjarri.
Ditë më parë, zyra e OKB-së raportoi se muajin e kaluar pati më shumë se 260 sulme nga kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar – një mesatare prej tetë në ditë – duke rezultuar në lëndime dhe dëme materiale.
Ndërkohë, agjencia palestineze Wafa raportoi se forcat izraelite kanë lëshuar një urdhër ushtarak për të sekuestruar më shumë se 3.8 hektarë tokë në qytetin Beit Ummar, në veri të Hebronit. Kjo zonë përfshin kultura bujqësore që janë burimi i vetëm i të ardhurave për shumë familje palestineze.
Izraeli ka ndjekur një politikë ekspansioniste në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Vetëm disa javë më parë parlamenti izraelit miratoi një projektligj që zyrtarisht bënte thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar – vendim që është kundërshtuar ashpër nga zyrtarë amerikanë dhe vetë presidenti Trump.

