Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë arrestuar A. B., me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rajonin e Prishtinës, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal’, ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’, ‘falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se A. B. dyshohet se si drejtues i grupit kriminal, në bashkëkryerje ka blerë armë dhe municione, me qëllim që t’i transportojë dhe t’i shesë.
“Gjithashtu, i njëjti dyshohet se me qëllim mashtrimi ka falsifikuar dokumente dhe ka vjedhur identitet të huaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se lidhur me rastin, autoritetet e Kosovës kanë mbajtur kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore të Suedisë, për arsye se i dyshuari A. B. ishte shtetas i Suedisë dhe në kërkim ndërkombëtar nga shteti në fjalë.
“Falë bashkëpunimit të vazhdueshëm profesional me autoritetet policore të Suedisë dhe nën autoritetin e PSRK-së, me datën 01.12.2025 është arritur të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe arrestimi i tij”.
Ndërkaq, gjatë arrestimit në shtëpinë ku qëndronte i dyshuari janë sekuestruar dëshmitë relevante si në vijim: 52.480 euro para të gatshme, patentë shofer suedez –me dyshim te falsifikuare nr, 27242813 në emër të një personi tjetër, letërnjoftim suedez – me dyshim te falsifikuare nr, 2365959 ne emër te një personi tjetër, tre telefona celularë, orë Rolex ngjyra e bardhe –ari, një HDD SEAGEATE P/N. 1TEAPS-500, një DVR dhe një veturë.
Ndërsa, gjatë operacionit të parë policorë të datës 12.03.2023, gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale ishin sekuestruar: 20 armë (AK-47), 20 karikator (AK-47), dy automjete, gjashtë telefona si dhe dokumente relevante për rastin.
“I dyshuari, me nënshtetësi të Suedisë, është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor PSRK do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së pararbugimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës riafirmojnë angazhimin në luftimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të kryerëve të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, përveç parandalimit dhe luftimit të krimit në vend, fokus të veçantë i kushtojnë edhe bashkëpunimit me shtetet tjera në funksion të luftimit të krimit të organizuar transkufitar.

