A flisni të njëjetën “gjuhë dashurie” me partnerin? Si ta shpëtoni lidhjen tuaj nëse ndjeni krisje të saj

114

Një ditë, një zonjë më pyeti: “Cila është gjuha jote e dashurisë?” U befasova dhe duke e mposhtur indinjatën për pyetjen e pakuptimtë (asokohe), iu përgjigja shkurt: “Gjuha shqipe, pa dyshim”. Zonja përballë meje, nuk reagoi fare, por pas disa sekondash më drejtoi një pyetje të dytë, me të njëjtën qetësi: “Dëshiron ta mësosh se cila është gjuha jote e vërtetë e dashurisë?” Përnjëmend mendova se ajo ose po bënte shaka, ose nuk më kishte dëgjuar mirë. Më pas, diçka brenda vetes sikur më përmendi dhe as vetë nuk e di se si artikulova një përgjigje të tipit: “Nëse ka një gjuhë të veçantë, që e flasin të dashuruarit dua ta mësoj.”

Kështu filloi “kursi im” intensive i studimit të gjuhëve të dashurisë, me kërshëri dhe dëshirë për të praktikuar njohuritë e përftuara. Çuditërisht, libri “Pesë gjuhët e dashurisë” më ngjau me një manual të domosdoshëm për shëndetin e marrëdhënieve në çift, megjithëse dikush thotë që dashuria nuk ka nevojë për manual 🙂

Të gjithë ne ose pjesa më e madhe prej nesh, ndeshen me pyetjen: “A ndryshon dashuria me kalimin e viteve?” Në faqet e librit “Pesë gjuhët e dashurisë” flitet gjerë e gjatë për udhëtimin romantik të rënies në dashuri dhe se si mbështjellja euforike e saj (nëse nuk mbahet në jetë) mund të zhvoshket pas një periudhe kohore prej dy vjetësh, ndërkohë që shumë marrëdhënie mund të bien në sulmin e pritshmërive të shkatërruara, shoqëruar me fjalë lënduese dhe pakënaqësi të tmerrshme. Në një situatë të tillë, çiftet ose ndahen, ose vazhdojnë të jetojnë mjerisht të paplotësuar nga dashuria. Kjo nuk është diçka që e dëgjojmë për herë të parë. Për hir të së vërtetës ekziston edhe një mundësi tjetër, që shpeshherë e dëgjojmë të etiketuar nga studimet bashkëkohore, si: ata zgjodhën ta donin njëri-tjetrin. Ajo që ndoshta nuk dimë dhe mund ta mësojmë lehtësisht, është që të gjithë ne zotërojmë gjuhë emocionale të ndryshme të dashurisë, që kanë të bëjnë me mënyrën se si e shprehim dhe e ndiejmë dashurinë. Rrallë mund të ndodhë që burri dhe gruaja të flasin të njëjtën gjuhë dashurie.

Ne e ndiejmë dhe e kuptojmë dashurinë e partnerit nëse ai/ajo na e shpreh atë në gjuhën tone parësore të dashurisë. Nëse partneri juaj flet vetëm spanjisht, sa e vështirë do të ishte t’i shpjegonit suedisht se sa shumë e dashuroni? Mund t’ia përsërisni shumë here këtë rrëfim të ndjenjave, por ai sërish nuk do ta kuptonte. Sekreti qëndron te fakti që duhet të mësojmë të flasim gjuhën e dashurisë së partnerit/partneres, bashkëshortit/bashkëshortes. Le të marrim një shembull: ju ndiheni e dashuruar kur bashkëshorti ju bën shërbime të vogla, si ndihma me larjen e enëve apo ndonjë hekurosje e vogël dhe ju menjëherë mendoni t’ia tregoni dashurinë, duke e mirëpritur kur kthehet nga puna, me një shtëpi të rregullt, që ngjason me një muze. Mirëpo ndodh që ai flet një gjuhë dashurie krejt tjetër dhe nevoja e tij e vërtetë është emocionale dhe aspak e lidhur me shtëpinë. Pra, edhe nëse ai e vë re shtëpinë si kukull dhe ju përgëzon, kjo do të thotë që ai e kupton nga ana njerëzore, por e ka të pamundur ta kuptojë në një nivel të thellë emocional. Ai ndihet i vetmuar dhe i padashur, pasi ju nuk po i flisni në gjuhën e tij të dashurisë dhe me kalimin e kohës marrëdhënia do të ftohet. Nga ana tjetër, ju do të ndiheni e acaruar dhe e pavlerësuar dhe do të dorëzoheni.Zanafilla e kësaj ngatërrese me pasoja të rënda gjendet te moskuptimi i gjuhëve të dashurisë së njëri-tjetrit. Ne përpiqemi ta shprehim dashurinë, por mesazhi ynë nuk kuptohet nga tjetri, pasi gjuha jonë e dashurisë është krejt e huaj për të.

A ka shpresë? A ka një zgjidhje? Nevoja për t’u ndier i dashur është një domosdoshmëri bazë e jetës. Ne dëshirojmë të na duan, të gëzojnë që na kanë në jetën e tyre, me të gjitha të mirat dhe papërsosmëritë tona. Për fat të keq, shumë njerëz janë ndier kështu për herë të fundit kur kanë qenë fëmijë. Çdo person i rritur, pra, edhe partneri/ ja, bashkëshorti/ja kanë nevojë bazë që të ndihen të dashur, të kuptuar dhe të vlerësuar nga i/e dashuri/a. Brenda shpirtit të gjithkujt ndodhet një depozitë emocionale, e cila ka nevojë të mbushet dhe vetëm kur ajo është plot, secili nga bashkëshortët/partnered mund të lulëzojë dhe të arrijë potencialin e plotë. Të mësosh të flasësh gjuhën e tij/saj të dashurisë është një pikënisje e mirë drejt mbushjes së depozitës së dashurisë. Vetëm kështu do të mund të jemi komunikues efektivë të dashurisë.

Libri 5 gjuhët e dashurisë na zbulon se përveç gjuhëve të dashurisë që autori i klasifikon në 5 kryesore, secila prej tyre ka një numër jo të vogël dialektesh 🙂

SI TA KUPTOJMË GJUHËN TONË TË DASHURISË DHE GJUHËN E TIJ/SAJ?

Përgjigjet për këto pyetje do të mund t’i gjeni duke lexuar parimet dhe historitë ilustruese që gjenden në librin “5 gjuhët e dashurisë”. Gjithashtu kushtojini vëmendje faktit përse flet më shumë partneri juaj? Për çfarë është i/e apasionuar? Në përfundim të çdo

kapitulli ka pyetje dhe nxitje aktive për të vepruar. Janë hapa të thjeshtë, por mjaft domethënës. Nëse filloni që t’i ndiqni, pa dyshim që marrëdhënia juaj do të ndiejë përmirësim. Libri lexohet me një frymë. Në fakt, më shumë të duket sikur je duke bërë një bisedë me një mik me përvojë, i cili po të “dhuron” nga urtësia e tij jetësore.

Nëse dëshironi që së bashku me bashkëshortin/ en të mësoni të flisni gjuhën e dashurisë së njëri-tjetrit, filloni ta lexoni librin së bashku, nga një kapitull në ditë. Mund ta lexoni edhe gjatë këtyre pushimeve. Ky libër mund të jetë një dhuratë me vlerë për një çift të ri dhe për çdo çift që dëshiron ta ruajë e ta forcojë marrëdhënien e tij.

Librin e gjeni nëpër librari në logon Botimet Living 🙂 Mos nguroni të mësoni të flisni dhe të dëgjoni gjuhën e dashurisë!

Ju përshëndes me dashamirësi 🙂 Edi Gogu

“Një shtëpi ndërtohet me duar, një familje me zemër”