Arrestohen 14 persona nga protesta e djeshme e opozitës në Shqipëri

66

Policia ka arrestuar 14 persona, të cilët dyshohet se gjatë protestës së djeshme të opozitës goditën me gjëra të forta efektivët e policisë. Ndërsa 8 protestues të tjerë janë shpallur në kërkim.

Burime nga policia bëjnë të ditur se ish-deputeti i Fierit, Luan Baçi po hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë, shoqërimet në polici po vijojnë edhe në qarqet e vendit.

Pas protestës, Policia e Shtetit informoi se menjëherë pas mbylljes së tubimit, “në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë,” u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.”

Nga ana e saj policia e shtetit informon se tubimi ishte i paligjshëm.

“Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën” thuhet në një deklaratë të policisë së shtetit.

Gjatë tubimit, sipas policisë u lënduan 3 punonjës policie, ndërsa edhe mes protestuesve pati të lënduar.

Protesta e opozitës e thirrur sot, 16 mars 2019, zgjati katër orë. Fillimishit nisi para kryeministrisë për të vijuar më pas para Parlamentit ku pati dhe përplasje./oranews