Autori i masakrës së Selenicës braktiset prej avokatëve të caktuar nga shteti

194

Ritvan Zykaj, autori i masakrës së Selenicës, është braktisur dhe nga avokatët që i cakton shteti.

24-vjeçari që vrau tetë persona në fshatin Resulaj, gjatë seancës së fundit gjyqësore, ishte pa praninë e avokatit. Kjo bëri që seanca të shtyhej dhe Gjykata të caktonte një tjetër avokat.

Klajdi Meçe ka zënë vendin e avokatit Migjen Xhavara, i cili nuk ishte paraqitur, madje as në seancën e kaluar, seancë e cila u shty sërish për këtë fakt.

Ndërsa dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancën gjyqësore, Fiqiri Serjani, i ka kërkuar trupës gjykuese të mos thërritet sërish, pasi nuk ka mundësi financiare për të paguar transportin.

Lagjja ku ndodhi ngjarja e rëndë më 10 gusht 2018 është boshatisur.

Përveç familjarëve të Ritvanit, janë larguar dhe të afërmit e viktimave që i shpëtuan masakrës, shkruan Lapsi.al.

“Shtëpitë janë të mbyllura plotësisht. Kanë ikur të gjithë. Aty nuk ka më njeri”, u shpreh Serjani, duke thënë se nuk do të paraqitet më si dëshmitar.

Ritvan Zyka akuzohet për vrasjen e  tetë familjarëve më 10 gusht të vitit të kaluar.