Home Lajme BE-ja vlerëson zgjedhjet në Kosovë

BE-ja vlerëson zgjedhjet në Kosovë

0
BE-ja vlerëson zgjedhjet në Kosovë

 

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë të martën se zgjedhjet e së dielës në Kosovë ishin organizuar mirë dhe në mënyrë transparente në pjesën më të madhe të vendit, por të cenuara nga frikësimi dhe mungesa e konkurrencës në zonat a banuara me shumicë serbe.

Shefja e Misionit vëzhgues, Viola von Cramon-Taubadel, tha se procesi u zhvillua i qetë dhe pa probleme të mëdha në pjesën më të madhe të Kosovës.

  
  

Këto zgjedhje të parakohshme ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke u lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në pjesën më të madhe të Kosovës,” tha zonja von Cramon duke nënvizuar se megjithatë në proces u përsëritën problemet e vjetra.

“Përsëritja e problemeve sistemike në procesin zgjedhor të identifikuara edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit, të tilla si thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në afat të shkurtër kohor, periudha e parregulluar e para fushatës dhe të tjera, duhet të trajtohen në mënyrë që ta sjellin procesin zgjedhor në Kosovë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike,”tha zonja von Cramon.

Raporti i vëzhguesve evropianë vë në pah se keqpërdorimi i burimeve publike dhe mungesa e transparencës së financimit të fushatës, mbeten sfidë për Kosovën. Sipas tyre, përmirësimi i këtyre sfidave do të kërkojë vullnet politik dhe përkushtim për të bërë reformat e nevojshme.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian ngritën ndërkaq shqetësimet për procesin zgjedhor në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Sipas tyre, mjedisi për të bërë fushatë në ato zona është përshkruar me kërcënime ndaj kandidatëve që nuk ishin pjesë e Listës Serbe dhe mbështetës të tyre.

“Në zonat e banuara nga komuniteti serb, partitë që provuan të konkurrojnë kundër listës serbe e kanë pasur të pamundur të bëjnë fushatë efektive për shkak të kërcënimit të kandidatëve, familjarëve të tyre dhe votuesve në përgjithësi. Lista serbe kontrollon komunat serbe sikurse edhe qeveria e Serbisë i drejtoi serbët e Kosovës që të votojnë vetëm për Listën serbe ndërsa kundërshtarët e tyre i quajtën si anti serb. Kjo ka kufizuar ushtrimin e së drejtës themelore për liri të shprehjes dhe vazhdimisht procesi zgjedhor për serbët e Kosovës dështoi të përmbushë standardet ndërkombëtare”, tha zonja von Cramon.

Më shumë se 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.

Duke u bërë jehonë vlerësimeve të misionit vëzhgues, shefja në largim i politikës së Jashtme të BE-së, Fedrica Mogherini, dhe komisionari Johannes Hahn, thanë në një komunikatë të përbashkët Bashkimi Evropian pret formimin e shpejtë të qeverisë së re.

“Kjo është me rëndësi në mënyrë që Kosova të rifillojë shpejt punën ne reformat që mundësojnë zhvillimin ekonomik e social dhe sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe bisedimet me Beogradin të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Presim që të gjithë të mbeten të përkushtuara ndaj këtyre proceseve që janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës, përparimin në rrugën evropiane dhe më e rëndësishmja në dobi të të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe gjithë rajonit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe kur janë numëruar 100 për qind të votave të rregullta, lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25.49 për qind e pasuar nga Lidhja Demokratike me 24,83 për qind, Partia Demokratike me 21,25 për qind dhe koalicioni AAK-PSD me 11,57 për qind.

Refuzohet kërkesa e LDK-së, PDK-së e Nismës për rinumërim votash
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa refuzoi të martën kërkesat e tri subjekteve politike për rinumërimin e votave.

Mulë Desku nga ky panel tha më herët se koalicioni NISMA-AKR-PD, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pretendonin “që në formularët për përputhje të rezultateve mungon një rubrikë apo një kolonë ku do të duhej të regjistroheshin votat e subjektit politik. Për faktin që mungon, votat e tyre pretendojnë se u janë bartur subjekteve tjera politike dhe e kontestojnë rezultatin dhe për shkak të kësaj parregullsie në njëfarë mënyre ato pretendojnë se duhet të rinumërohen vendvotimet në të gjithë Kosovën”, tha zoti Desku.

Paneli hodhi poshtë kërkesat e këtyre subjekteve.

Më herët të martën, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha ndërkaq se koalicioni i përbërë nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate e pranon rezultatin e zgjedhjeve.

“’Ne nuk kërkojmë rinumërim e as përmbysje të rezultatit, pasi është e padrejtë ta dëmtojmë një ditë kaq të mirë zgjedhore. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën ta formojmë qeverinë, por ne vazhdojmë t’u mbesim besnik temave dhe nëse qeveria e ardhshme do angazhohet në këto tema, ne do t’i përkrahim”, tha zoti Haradinaj.

Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Qeveria e re pritet të përballet me trysninë diplomatike për ripërtëritjen e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe, në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Në muajin gusht sekretari amerikan Mike Pompeo, emëroi zotin Matheë Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, ndërsa presidenti Donald Trump, emëroi javën e kaluar ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë dhe vëzhguesit presin që procesi të marrë një ritëm të ri në përpjekjet për të siguruar kuadrin e një marrëveshjeje para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

 

——————————————–
Ju pëlqeu “BE-ja vlerëson zgjedhjet në Kosovë”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.

Loading...