Flora Brovina flet për fotografinë e publikuar, thotë se e njeh personin e dhunuar

54

Deputetja Flora Brovina ka thënë se lajmi për vënien në dyshim të origjinalitetit të fotografisë që e publikoi sot – në foto shihen tre ushtarë duke e dhunuar një grua, për të cilët deputetja pretendon se janë ushtarë serbë që kryen krim gjatë luftës në Kosovë – nuk është i vërtetë.

Brovina për Klan Kosovën tha se fotografia që e ka publikuar sot është e vërtetë dhe vetëm ajo e di ku ka ndodhur rasti .

“Më vjen keq për këtë lajm sepse fare nuk është i vërtetë. Unë e di ku ka ndodhë edhe kush ma ka dhënë. Jo nuk kërkoj falje se ngjarja është e vërtetë”.

“Unë e njoh familjen, unë e njoh edhe personin e dhunuar. Unë kam marrë leje për ta publikuar. Unë nuk e di se si është përdorur nga disa filma pornografik të Irakut”.

Ajo dyshon se mund të ketë, siç tha, ndonjë manipulim dhe se ai film i fotografive është marrë nga xhiruesi serb.

Brovina gjithashtu ka bërë të ditur se do të kontaktojë prokuroren e shtetit.

“Ju po e shihni që unë nuk kam frikë nga e vërteta dhe s’kam arsye me e bo këtë punë kaq të bujshme. Me çudisin disa personalitete. Në vend se të merren me krimin merren me personalitetin tim”.

“Unë për veten time do ta kontaktoj prokuroren e shtetit. Kemi kontaktuar përmes telefonit dhe do ta caktoj ditën kur do t’ia dorëzoj edhe dëshmitë tjera”.