Haradinaj: Viti 2019, do të jetë vit i ekonomisë

53

Kryeministri, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, tha se ky vit do të jetë vit i zhvillimit ekonomik në vend.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë.

Sipas Haradinajt, në vend hartohen ligje të mira , por që mungon implementimi.

“Viti 2018 ka qenë më shumë i infrastrukturës ligjore, por viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë, krijimin e sekretariatit të përhershëm të ekonomisë. Edhe pse në Kosovë e kemi politikën tatimore më të volitshme në rajon ne duam t’i dëgjojmë investitorët”.

“Ne duhet të vazhdojmë së bashku reformat në fushën fiskale. Para nesh mbetet çështja e informalitetit dhe duhet të jemi bashkë ta trajtojmë këtë temë. Ligji i Punës është miratuar dhe përcjell në Parlament dhe ajo që është e rëndësishme është formula e gjetur për lehoninë që nuk i ngarkon sipërmarrësit”.

“Ka plot ligje siç është edhe ai i Korporatave. Ligji për Festat Zyrtare, nuk ka avancim ka mbet siç ka qenë dhe duhet të trajtohet me kujdes. Ne kemi plot sfida funksionale dhe implementuese, zbatimi është dobësia jonë. Nuk është që nuk hartojmë ligje, por dobësitë tona hetohen shumë kur bëhet fjalë për implementim”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala tha se janë të përkushtuar të përmirësojnë ambientin e biznesit në vend, raporton EO.

“Edhe pse nuk kemi mbajt takime formale nga rifinksionalizimi i këtij këshilli ne kemi qenë aktiv në punët tona të përbashkëta për të adresuar prioritetet dhe sfidat tona për ambientin e të bërit biznes”.

“Duke u nis nga fakti që qeveria e Kosovës këtë vit e ka shpall si vit të ekonomisë ne do të japim kontributin tonë në përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes”, tha ai.

Ditë më parë në një vizitë pune në Ministrinë e Tregtisë, kryeministri Haradinaj dhe ministri Shala patën deklaruar se në Kosovë këtë vit kanë ardhur 11 investitorë me mbi 1.8 miliardë euro, investime.