Katër muaj hetime, çfarë ka ndodhur me personin që vr.au hajnin në Veternik

139

Të rralla janë rastet kur një i dyshuar vret një person tjetër, dhe i njëjti nuk arrestohet.

Megjithatë, një rast i kësaj natyre kishte ndodhur në nëntor të vitit që lamë pas, shkruan lajmi.net.

Ridvan Beqiri kishte vrarë në shtëpinë e tij hajnin që dyshohet se kishte hyrë për ta plaçkitur atë, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, Beqiri nuk ishte arrestuar nga organet e drejtësisë, pasi që nga dyshimet fillestare ishte konstatuar se viktima kishte vepruar në vetëmbrojtje, dhe se arma ishte me leje.

E pas më shumë se katër muajsh, prokuroria nuk ka arritur në ndonjë rezultat.

Në një përgjigje zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është thënë se rasti ende ndodhet nën hetime, dhe se janë ndërmarrë disa veprime hetimore.

“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar, prokurori i çështjes ka ndërmarrë disa veprime hetimore, andaj, aktualisht rasti ndodhet në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Se a është iniciuar procedurë penale ndaj Beqirit, lajmi.net e ka pyetur edhe avokatin e tij, Besnik Berishën.

Megjithatë, nën arsyetimin se rasti është shumë i ndjeshëm dhe se mund të ketë implikime në aspektin e sigurisë së familjes, ai ka refuzuar të përgjigjet.

“Rasti është shumë i ndjeshëm dhe për shkak të sigurisë së familjarëve nuk mund të japim më shumë detaje”, ka thënë Berisha.

Mirëpo, lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës se Ridvan Beqiri megjithatë mund të përballet me procedurë penale për rastin në fjalë.

“Faza e hetimeve ende nuk ka mbaruar. Megjithatë nuk mund të themi se nuk do të ketë procedurë penale ndaj personit që dyshohet se ka vrarë hajnin brenda shtëpisë së tij”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Lajmi.net kishte raportuar asokohe nga vendi i ngjarjes për rrjedhën e rastit. /Lajmi.net/