Home Lajme Kosova është 50 vjet prapa në arsim

Kosova është 50 vjet prapa në arsim

0
Kosova është 50 vjet prapa në arsim

 

Rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA’s, e kanë renditur Kosovën në fund të “pusit”. Në listën me 79 vende të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse.

Më poshtë se Kosova, qëndron vetëm Republika Domenikane dhe Filipinet. Njohësit e arsimit thonë se rezultate të tilla janë pritur, derisa në SBASHK deklarojnë se nëse vazhdohet kështu edhe rezultatet e PISA 2021 do të jenë të njëjta.

  

  

Një test ndërkombëtar që i mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçar në shkencë, lexim dhe matematikë, e ka ranguar Kosovën pothuajse të fundit në mesin e rreth 80 shteteve të botës. Bëhet fjalë për testin PISA 2018, në të cilin vendi merr pjesë për herë të dytë.

PISA e ka renditur Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Më keq se nxënësit kosovarë në këtë test, kanë dalë vetëm ata të Republikës Domenikane dhe ata të Filipineve.

Por, pavarësisht se këto rezultate e kanë vendosur Kosovën në fund të pusit, duket se askush nuk është befasuar. Madje, sipas njohësve të arsimit, këto rezultate kanë qenë të pritshme.

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, i ka thënë Gazetës Express se kanë pritur rezultate të tilla, meqenëse siç thotë nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për përmirësimin e gjendjes në arsim.

“Këto rezultate janë zhgënjyese, por janë edhe të pritshme duke marrë parasysh se nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për përmirësimin e gjendjes në arsim, posaçërisht me testin paraprak që është mbajtur në vitin 2015, e deri te testi që është mbajt në vitin 2018. Ka pasur vetëm hartime të planeve dhe disa ndryshime legjislative, por që nuk mund të japin efekte”, ka thënë Pupovci.

Ndërkohë, eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj i ka thënë Gazetë Express se fajin për rezultatet e dobëta në PISA e ka Ministria e Arsimit dhe të gjithë qytetarët e vendit.

Sipas Rexhajt, në Kosovë shumica e kanë harruar misionin e shkollës.

“Fajtore është Ministria e Arsimit, dhe jemi të gjithë ne. Sepse ne të gjithë mendojmë se mjafton me shku në shkollë fëmijët, mjafton me shku arsimtari në klasë , mjafton prindi me i ble librat edhe mendojmë se arsimi ndodh qashtu. Mungon mobilizimi te të gjithë ne. Ne e kemi humb misionin e shkollës në Kosovë. Kemi harru për çka është shkolla, pra ka shumë paqartësi për misionin e shkollës në Kosovë edhe të gjithë e kuptojmë gabimisht se çka është shkolla edhe të gjithë e kuptojmë gabimisht”, ka thënë ai.

Rexhaj ka treguar edhe për hapat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen në arsim. Sipas tij, arsimi në Kosovë është 50 vite prapa.

“E para duhet ta rregullojmë gjendjen në ministri, duhet t’i forcojmë shkollat, arsimtarët duhet me u përkrah më shumë me mjete material dhe me teknologji se tash, dhe duhet qasja ndaj arsimit të ndryshoj. Arsimi në Kosovë është diku 50 vite mbas kohës së vet., dmth digjitalizimi ka ec shumë dhe qasja ndaj arsimit ka ndryshu shumë e ne ende punojmë më rutina. Arsimtarët dhe prind duhet të mobilizohen më shumë”, ka thënë Rexhaj për Express.

Edhe kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj thotë se kanë pritur rezultate më të mira.

Jasharaj thotë se tash nuk është koha që të gjendet fajtori, por se duhet mobilizim për të hartuar një plan se si të veprohet tutje.

“`SBASHK’u dhe të gjithë të punësuarit në arsim po besoj që nuk janë ndje mirë sot kur kanë dëgjuar për rezultatet. Kemi prit që testi PISA 2018 do të na nxjerrë më mirë krahasuar me PISA 2015, nga fakti se janë bërë përgatitje më të mëdha për të. Ka qenë një mobilizim i shtuar. Mendoj se duke filluar nga Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit, SBASHK’u dhe të gjithë të interesuarit në arsim duhet të ulemi bashkë, dhe të mos bëjmë me gisht nga njëri-tjetri, të mos kërkojmë fajtorë, por të bëjmë një plan se si të veprojmë tash e tutje që sistemi arsimor të ndryshojë për mire”, ka thënë Jasharaj.

Sipas Jasharajt, nëse nuk merren masa, edhe rezultatet e testit të ardhshëm do të jenë të njëjta.

“Është e udhës të mos bëjmë me gisht, sepse nëse merremi edhe në të ardhmen me fajtorët, PISA 2021 do të na gjejë po kështu keq, por të ulemi bashkë e t’i shikojmë lëshimet, t’i shikojmë tekstet shkollore, kushtet e punës dhe të dërgojmë inspektorët profesional që të përcjellin punën e mësimdhënësve dhe në këtë mënyrë besoj që do ta përmirësojmë”, ka thënë Jasharaj për Express.

Rezultatet e këtij testi, i komentoi edhe Ministri i Arsimit në detyrë, Shyqri Bytyqi. Ai e pranoi dështimin në këtë test, duke thënë se kanë pritur rezultatet më të mira.

“Ne kemi pritë të kemi një rezultat më të mirë, por nuk ka rezultate më të mira. Ne si Ministri kur kemi marrë mandatin, kemi bërë përpjekje për organizim sa më të mirë të këtij testi. Nuk janë ato rezultate që ne kishim dashtë me i pa sot. Kemi lëvizje pozitive në matematikë dhe në pjesën e leximit krahasuar me vitin 2015. Por, kemi rënie te shkenca”, ka thënë Bytyqi.

Për rezultatet negative në shkencë, Bytyqi ia la fajin testit digjital.

“Tani se cilat janë arsyet e këtyre rezultateve na duhet kohë që t’i analizojmë edhe raportet e secilës shkollë pjesëmarrëse dhe secilit nxënës. Në rezultatet në shkencë, ka ndikuar edhe pjesëmarrja për herë të parë në formë digjitale, krahasuar me Maqedoninë e cila nuk është futur në formë digjitale”, deklaroi Bytyqi.

Edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kërkoi kujdes në cilësinë e arsimit, pavarësisht siç tha është bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe pagat e mësimdhënësve.

“Mendoj që personeli dhe gjithë të përfshirët duhet të jenë më të sinqertë me gjendjen në arsim. Nuk mundet të mohohet se kemi gjendje të vështirë. Është bërë përpjekje e vazhdueshme për t’u përmirësuar infrastruktura pagat me ecë përpara, por duhet bërë kujdes edhe në cilësi”, tha Haradinaj.

Ndryshe, testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.

Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa edhe në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365. Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

 

——————————————–
Ju pëlqeu “Kosova është 50 vjet prapa në arsim”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.

Loading...