Home Lajme LDK reagon ndaj PDK-së, pasi u akuzua se bashkëpunon me Listën Serbe

LDK reagon ndaj PDK-së, pasi u akuzua se bashkëpunon me Listën Serbe

0
LDK reagon ndaj PDK-së, pasi u akuzua se bashkëpunon me Listën Serbe

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pasi u akuzua nga ajo se bashkëpunon me Listën Serbe.

Nëpërmjet një komunikate, dega e LDK-së në Mitrovicën e Veriut i ka cilësuar shpifje pohimet e PDK-së.

“Pas deklaratave tendencioze të kandidates së PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj shpifjeve skandaloze dhe qëllim këqija, me anën e të cilave kandidatja për kryetare nga radhët e PDK-së ka deklaruar për qëndrimet e LDK-së rreth garës për kryetarë të Mitrovicës Veriore”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Ky rast ka dëshmuar edhe njëherë që në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës rreshtohen figura jo kredibile, amatore dhe papërvojë në politikë. Ky rast është tipik “të them sa nuk më ke thënë”, duke u përpjekur në çdo formë të arrijë ngritje politike duke sulmuar partinë më të madhe në vend. LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në shërbim të qytetarëve të saj dhe do të preokupohet me hallet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

“Këta njerëz të cilët shpifin se LDK-ja po bashkëpunon me Listën Serbe, janë po të njëjtit, të cilët në vitet paraprake kanë bashkëpunuar me Oliver Ivanoviç-in duke i siguruar vota dhe përkrahje në zgjedhje, dhe vazhdimisht janë përpjekur që të minimizojnë kontributin e LDK-së ndër vite. Deklaratat e sotme janë thjeshtë fëmijërore dhe tregojnë edhe njëherë nivelin e mjerueshëm dhe papjekurinë politike të kandidates së PDK-së, e cila për fat të keq lë shumë për të dëshiruar”, thekson komunikata.

“Ne si LDK, njoftojmë opinionin e gjerë që të gjitha këto pohime të znj.Çaushi janë shpifje të ulëta të cilat nuk kanë asnjë bazë reale. LDK nuk ka bashkëpunuar dhe nuk do të bashkëpunoj kurrë me Listën Serbe dhe me argatët e saj për dëmtimin e interesave madhore, sado që kundërshtarët e LDK-së pretendojnë të kundërtën”, përfundon reagimi i LDK-së. /Lajmi.net/

Loading...