MI: Kosova e gatshme të marrë kontrollin e hapësirës së ulët ajrore

65

Javë më parë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj deklaroi se në janar Kosova do të marrë përsipër kontrollin e hapësirës së ulët ajrore.

Mirëpo, nga autoritetet Aviacionit Civil në Serbi u tha se Kosova nuk mund të marrë përsipër këtë kontroll pasi nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Nga ministria e Infrastrukturës thonë se edhe pse vendi ynë nuk është anëtare e kësaj organizate, përgjegjësia për hapësirën ajrore i mbetet çdo shteti.

“Dihet se hapësira ajrore është pjesë sovrane e territorit të Republikës së Kosovës, për të cilën përgjegjësinë e kanë autoritetet kosovare sipas Kushtetutës dhe ligjit për aviacionin civil. Edhe pse Republika e Kosovës nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ang. ICAO), përgjegjësia për hapësirën ajrore i mbetet çdo shteti, kjo është kështu sipas nenit 1 të Konventës së Çikagos, pavarësisht nënshkrimit të Konventës dhe anëtarësisë në ONAC. Republika e Kosovës i aplikon të gjitha standardet dhe rekomandimet e ONAC përmes ligjeve për aviacionin civil dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre”, është thënë në përgjigjen e MI-së për lajmi.net.

Po ashtu, nga kjo ministri thuhet se hapjes së hapësirës së ulët ajrore duhet t’i paraprijë nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme me të gjitha shtetet fqinje.

“Hapësira ajrore e Kosovës ishte mbyllur për trafikun ajror në vitin 1999. Nga ajo kohë fluturimet zhvillohen me një regjim të veçantë të lejeve të cilat lëshohen nga autoritetet kosovare në bashkëpunim me autoritetet e KFOR-it. Përderisa hapësira e lartë ajrore është hapur dhe tani menaxhohet përkohësisht nga autoritetet hungareze, hapjes së hapësirës së ulët ajrore, duhet t’i paraprijë nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme me të gjitha shtetet fqinje për bashkëpunim në ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror nga një juridiksion në tjetrin”.

Sipas tyre, kjo pritet të arrihet në pjesën e parë të këtij viti.

“Kjo pritet të arrihet në pjesën e parë të këtij viti kur do të mundësohet trafiku ajror që vjen dhe shkon nga ANP “Adem Jashari”, nga të gjitha korridoret ajrore, përfshirë edhe korridoret ajrore në drejtim të Serbisë. Nga kjo do të përfitojnë edhe fluturimet tjera të aeroporteve të shteteve fqinje. Autoritetet kosovare janë plotësisht të përgatitura për marrjen e përgjegjësive për hapësirën e ulët ajrore të Kosovës”, thuhet tutje në përgjigje.

Ditë më parë Aviacioni Civil në Serbi ia kujtoi Kosovës se nuk guxon t’i përdorë rrugët që çojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë. /Lajmi.net/