Ministria e Pal Lekajt rrit shpenzimet e luksit në udhëtime zyrtare, telefona e karburante

97

Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Pal Lekaj i AAK-së i ka rritur shpenzimet e luksit gjatë vitit të kaluar. Shpenzimet për udhëtime zyrtare shënuan rritje edhe në fillim të këtij viti.

Zyrtarët që janë të thirrur të kujdesen për infrastrukturën rrugore në Kosovë, në këtë fillim të vitit u ka rënë që të shpenzojnë para për udhëtime zyrtare jashtë vendit goxha shumë.

Zyrtarët e MI-së në janar e shkurt të 2019 krijuan shpenzime për udhëtime jashtë vendit në vlerë prej 12 mijë e 691 euro. Këto të dhëna i ka ofruar MI-ja nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike për lajmi.net. Më së shumti në ata dy muaj shpenzuan për udhëtime jashtë vendit departamenti i inspektoratit, gjithsejtë 5,522 euro, deri sa kabineti i ministrit ka shpenzuar 848 euro.

Po sipas dokumenteve të MI-së, të ofruar për lajmi.net, shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit janar –dhjetor 2018 janë në vlere prej 65 mijë e 33 euro. Kabineti i ministrit i ka shpenzuar 14 mijë e 482 euro. Departamenti i menaxhimit të rrugëve ka shpenzuar 13 mijë e 429 euro, departamenti i infrastrukturës rrugore 14 mijë e 351 euro, departamenti i transportit tokësor 1,993 euro, etj.

Sido qoftë, shuma prej 65 mijë euro e shpenzimeve  për udhëtimet zyrtare jashtë vendit nuk përputhet me të dhënat e shënuar në Raportin vjetor 2018 të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilin e ka parë lajmi.net.

Në raportin e hartuar nga MI për shpenzimet e buxhetit të vitit 2018, janë shënuar disa kategori shpenzimesh për udhëtimet jashtë vendit dhe janë më të larta se në vitin e vitet paraprake. Në një rubrikë është shënuar se shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit për vitin 2018 kanë qenë në vlerë prej 6,000 euro. Pastaj janë shënuar mëditjet për udhëtimet jashtë vendit, në vlerë prej 45 mijë eurove, ndërsa në vitin 2017 nga kjo kategori shpenzimet shihet se kanë qenë 35 mijë euro. Për akomodimin e udhëtimeve jashtë vendit është shënuar shuma 33 mijë euro. Ne kategorinë e quajtur ‘shpenzimet tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit’ është shënuar shuma në vlere prej 39 mijë eurove. Derisa në këtë kategori shpenzimet në vitin 2017 janë shënuar në vlerë prej 21 mijë euro.

Shpenzime janë krijuar edhe për derivate, telefon e dreka zyrtare.

Kjo ministri në vitin 2018 për dreka zyrtare ka shpenzuar 56 mijë euro, ndërkohë në vitin 2017 janë shpenzuar më pak, ose 49 mijë euro, në vitin 2016 janë shpenzuar 32 mijë euro

Shpenzimi karburanteve janë rritur nder vite. Në vitin 2016 për karburant nga kjo ministri ka shpenzuar 83 mijë euro, në vitin 2017 janë shpenzuar 144 mijë euro dhe në vitin 2018 janë shpenzuar 148 mijë euro. Rritje ka shënuar edhe shpenzimet e telefonisë mobile. Në vitin 2016 dhe 2017 këto shpenzime kanë qenë në vlerë prej 31 mijë eurove, ndërsa në vitin e kaluar kanë shënuar vlerën prej 40 mijë eurove. /Lajmi.net/