Në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Serbia përgatit paradë gjigante ushtarake

190

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milano Mojsiloviq ka bërë të ditur se janë të pëgatitur plotësisht për t’ju përgjigjur çdo sfide të mundshme të sigurisë dhe krize në rajon.

Mojsiloviq ndonëse përjashtoi mundësitë e ndërhyrjeve ushtarake në veri, ka pohuar se janë duke përgatitur një paradë të madhe ushtarake dhe policore në Nish, njofton Klan Kosova.

Ai për RTS ka thënë se kjo paradë është planifikuar saktësisht më 24 mars me rastin e 20 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s në ish Republikën Federale të Jugosllavisë.

“Sigurisht që ne nuk do të jemi në gjendje të ju tregojmë gjithë atë që ne posedojmë, por ne do të demonstrojmë aftësinë dhe gatishmërinë ushtarake e policore, për të treguar se ushtria është e përgatitur dhe e motivuar për të përmbushur të gjitha detyrat”, ka thënë Mojsiloviq gjeneral i ushtrisë serbe.