Home Lajme Nga hallet njerëzit më shumë pinë duhan sesa ujë!

Nga hallet njerëzit më shumë pinë duhan sesa ujë!

0
Nga hallet njerëzit më shumë pinë duhan sesa ujë!

 

“Dhjetë shkrepsa dhe njëzet pako duhan i shita dje. Para një kohe njëzet pako duhan nuk i shisja as për një javë. Si duket, njerëzit nga hallet e jetës, skamja dhe mërzia vetëm duhan po pinë”, thotë Behlul Gashi, me banim në Mëhallën e Muhaxhirëve në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.

Fytyra zeshkane, nga qëndrimi tërë ditën në diell në hyrje të Tregut të Gjelbër në Prishtinë, i Behlul Gashit, 55-vjeçar, banor i mëhallës “Lagjja e Muhaxhirëve” në Prishtinë, i papunë, baba i tre fëmijëve, dy prej të cilëve janë nxënës, kurse njëri student, të jep të kuptosh për rropatjet e këtij burri me hallet e jetës, e që nuk janë të pakta.

“Jemi bërë shumë vetë që shesim cigare. Po të ishim më pak, ndoshta, do të fitonim sado pak. Por, kësaj vere sikur ka ndryshuar diçka: njerëzit pinë duhan më shumë se viteve të tjera! Nuk di a kanë nevojë apo atë e bëjnë nga mërzia.

Punë s’po kanë e hajt pi duhan! Rri në kafe e hajt pi duhan! Por, disa që i njoh edhe po më ngushtojnë shumë – kërkojnë t’u jap veresi”, thotë ai, në fillim të atyre pak fjalëve që i ndërrova me të, sepse sikur përton të flasë, meqë vapa ia ka tharë gojën dhe as pështymë nuk ka sa duhet.

Shitet duhani si flaka!

Behluli që nga paslufta merret me tregtinë e duhanit, ndërkaq nuk i ka ndodhur asnjëherë që si sivjet t’i shitet duhani, siç thotë ai, si flaka…

“Një ditë mu afrua një zonjë dhe më habiti me fjalët e saj. Më tha se a mund t’ia jap një pako cigare veresi. Mbeta i habitur. Nuk dukej se ishte në atë gjendje sa të kërkoj cigare veresi. Por, pasi u mendova pak, vetë me vete thashë – po ia jap, m’i dha apo s’mi dha paret.

Mirëpo, të nesërmen u habita kur para syve të mi u duk po ajo, e që një ditë më parë mori nga unë cigare veresi. Pasi më shikoi paksa gjatë, hapi çantën dhe, në vend të dy eurove sa m’i pat borxh, m’i dha 5 euro. Kur ia zgjata kusurin, më tha: “Mbaje kusurin, sepse e mira kthehet me të mirë”. Dhe, vazhdoi tutje rrugën”, tregon Behluli.

Idaren mezi e nxjerrë prej argati…

Me fytyrë shumë të nxirë dhe dëshpëruese është edhe Avdullah Ahmeti, banor i lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Ai rri ulur mbi kultivatorin e tij, edhe pse temperatura është 35 gradë celsius!

“Sot as që më është ofruar kush për ndonjë punë. Por, s’kanë faj njerëzit. Kush është ai budalla që del në këtë vapë?!”, thotë Avdullahu, i cili me kultivatorin e vogël mbanë familjen e tij pesë anëtarë. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

 

——————————————–
Ju pëlqeu “Nga hallet njerëzit më shumë pinë duhan sesa ujë!”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.

Loading...