Home Lajme Oj grua, cilit politikan do me ia dhënë?

Oj grua, cilit politikan do me ia dhënë?

0
Oj grua, cilit politikan do me ia dhënë?

 

Njeriu edhe hajnit i thotë faleminderit! T’i vjedhë paratë dhe ia bën hallall nëse t’i kthen dokumentet… Sepse, shteti ynë jeton me ta. Madje, mu ata që e ruajnë shtetin e dinë se pasi hajnat i vjedhin çantat, dokumentet i hedhin në ndonjë skutë. Pastaj, ato dokumente përcillen në polici ku mund t’i merr klienti, shkruan “Kosovarja”.

Filmat orientalë po shikohen në Kosovë me të madhe dhe televizionet e kanë gjetur veten në këtë “mision” shikueshmërie. Po të mos ishin filmat e tillë, televizionet tona nuk do të shikoheshin në masën sa shikohen tash.

Gruaja ime i shikon serialet turke dhe një ditë, teksa po e shikonte Serialin “Mos ma lësho dorën”, në kohën kur luhej një ndeshje ndërkombëtare futbolli, i bëmë dy televizorë në sallonin e shtëpisë.

“Ndërroje kanalin grua e qitma futbollin!”, i thashë.
“Le që je bërë dembel, por edhe nuk po sheh se jam kah e shikoj Azrën!”, ma ktheu ashpër.

“Ç’lidhje ka kjo?”, e pyeta.
“Është një ngjarje për dashuri dhe, normalisht, ka shumë lidhje. E, çka ka lidhje futbolli yt, ku çdo ditë shikon futboll?! Të është mbushur koka vetëm futboll!”.

“Mirë e ke, sepse më për dashuri nuk flet askush, pos në serialet tua. Madje, edhe politikanët janë çoroditur dhe flasin vetëm për suksese, thuajse u bë nami…

Për dashuri, edhe atë për hajgare, ndonjëherë flet vetëm Milaim Zeka. Ai një ditë pat thënë se Amerika po t’i thotë mos fle me grua, do e dëgjonte Amerikën”, i thashë gruas, e cila në ato çaste as që kishte qenë duke më dëgjuar.

Do t’i dëgjoja politikanët tanë po të flisnin për dashuri!
Nejse, e nisëm me diçka tjetër dhe dola dikur tjetër… Prandaj, të kthehem përsëri te gruaja. Ajo filmin – unë futbollin!

E mora televizorin nga dhoma tjetër dhe e vendosa pranë televizorit tjetër. Dy televizorë në një dhomë, madje mbi të njëjtën tavolinë… Unë futbollin ajo Azren.

“Uh, po kollaj paska qenë ta zgjidhim problemin! Për pak s’u zumë, e zënka kushedi çfarë do të kishte pasuar: shi, breshër a borë”, i thashë unë.

“Edhe unë do t’i kisha dëgjuar politikanët tanë po të flisnin edhe për dashuri e jo vetëm për sukseset e tyre, thuajse Kosova është bërë xhenet!”, më thotë ajo me zë të lartë.

“Po, ama, si të flasin për dashuri ata, grua?!”, i them unë.
“Epo, nëse do t’i dëgjojnë le të flasin për aso teme, se për lavde askush nuk po i dëgjon!”, më thotë ajo.

“Po flet kështu për politikanët tanë e vetë ua ke dhënë votën! E, tash çka po ndodh me ty?”, ia ktheva unë.

“Asgjë nuk po ndodh, por politikanët tanë janë rrasë deri në fyt në hajni! E, më nuk do t’i votoj!”, ma kthen ashpër ajo.

“Mirëpo, dikujt duhet t’ia japësh grua!”, ia ndërpres fjalën unë.
“Po, dikujt po, por cilit se di…”.

“Eh, mirë që i ke ra pishman se kur të thoshte shoqja jote jepja Isës, ti thoshe jo se Hashimi më bukurosh… Ja pafsh hajrin, pra!”.

Unë e nisi ditën me poezi, politikanët tanë me lavde!
E hëna që e lamë pas ishte një ditë si zakonisht.
“Ditë e re, fat i ri, thotë mileti, a po jo grua?”, i thashë sapo u zgjuam kur ajo po i bënte kafetë e mëngjesit.

“Po, ashtu thonë, vetëm se një fjalë duhet ndërruar… Fjalën mileti e bëjmë populli”, më thotë ajo.

“Eh, mendova se më lehtë e kupton ti pasi po i shikon filmat turk, por ke të drejtë. Edhe Fan Nolin e kishin pas kritikuar me përdorim të tepruar të fjalëve të huaja në poezi, sepse po të kishin shkruar të gjithë si ai, do ta kishin vënë në rrezik gjuhën shqipe”.

“A ja nise me filozofua, a?!”, ma ktheu me ironi.
“E lëmë me kaq: “Dita e re, fati i ri”. Ama, nuk i dihet jetës. Në vend të fatit shumë herë vjen diçka tjetër, sikur në poezinë e poetit arbëresh Vorea Ujko, ku vajzës që priste vdekjen i kishte shkrepur fati i mrekullueshëm”.

“Ti me poezi e nis ditën, si politikanët tanë me lavde!”, prapë me ironi ma kthen ajo.

Nejse, ajo shkon në punë me veturë, kurse unë në punë me veturën time. Pas orës 12 më bën zile dhe më thërret se ia kanë thyer veturën.

Ia kanë marrë çantën me çdo gjë që ka pasur në të: paratë, dokumentet personale, ato të veturës… Plus xhami i thyer i veturës…

“More, lëre ti xhamin e thyer, por ishalla m’i kthejnë dokumentet, e paratë po ua bëj hallall!”, ma ktheu ajo.

“Eh, tani ke folur mirë, grua! A po e sheh si ndërrojnë gjërat?! Kemi ardhur në pozitë t’i falënderojmë hajnat. Edhe ta thyejnë veturën, edhe të plaçkitin, edhe u je mirënjohës vetëm po t’i lënë dokumentet diku”.

Një ditë, teksa ecja nëpër qytet, pash një djalosh që sillej rreth një veture paksa me dyshim. Kur i thashë se a po e shikon atë veturë që të vjedhë gjë në të, ma ktheu: “Po vjedhin politikanët e lëre më unë!

Po vjedhin ministrat që çdo ditë dalin në televizor e jo unë! Pse unë të mos vjedh kur askush nuk më sheh në televizor, e ata që vjedhin çdo ditë i shohim dhe askujt nuk po i shkon fytyra!”.

Çfarë përgjigje! Replikë se jo mahi…”, i them unë.
“Pas të gjitha këtyre tollovive psikike, ku sheh gjë të mirë te ne?”, ma kthen me plot nervozë gruaja.

“Eh, duhet t’i kesh sytë e qeveritarëve, moj grua, për të parë gjëra të mira… Nuk mundet çdo kush të sheh mirë e bukur. Nuk është pranverë për çdo kënd, por vetëm për ata që dinë të dredhojnë”, ia ktheva me tallje, sepse e pash se gjërat po thellohen.

Dashuria dhe puthja e parë
Momente të mira janë edhe kur zë syri akrepin e orës mbi akrep. Po, unë, në fakt, qenkam në këtë shenjë horoskopi. Akrep jam. Nuk di çka simbolizon akrepi mbi akrep, por ma kënda t’i shoh njërin mbi tjetrin…

“Ja me çka ushqehen disa njerëz, i them gruas, edhe me akrepat e orës, si unë… Ndoshta pse kur isha i ri mendoja se po ta shohësh akrepin mbi akrep do të kesh fat në dashuri… Fat në puthje…”.

“Po-po, vetëm te dashuria dhe puthja e parë i mbanë mend ti!”, ma ktheu ajo, me gëzimin e saj sikur më zuri ngushtë dhe s’kam kah t’ia mbaj. Sokol Murturi /Kosovarja/

 

——————————————–
Ju pëlqeu “Oj grua, cilit politikan do me ia dhënë?”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.

Loading...