Home Lajme Qendra e Studentëve në Prishtinë pranon 4 mijë studentë

Qendra e Studentëve në Prishtinë pranon 4 mijë studentë

0
Qendra e Studentëve në Prishtinë pranon 4 mijë studentë

 

4 mijë studentë do të pranohen në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa 1500 vende do të ju ndahen studentëve për ushqim të cilët nuk mund të bëhen banorë të konvikteve.

Më 3 shtator u hap konkursi për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2019/2020.

Drejtori i Strehimit në Qendrën Studentore, Isak Beha, në një prononcim për EkonomiaOnline ka thënë se konkursi për pranimin e studentëve në Qendrën Studentore, do të jetë i hapur deri me datën 13 shtator, derisa rezultatet do të publikohen më datën 23 shtator.

Ai ka treguar edhe kriteret të cilat duhet të plotësohen nga studentët që duan të bëhen pjesë e kësaj Qendre.

Sipas tij, QS-ja do t’i jep përparësi gjinisë femërore me 60% të banimit.

“Kemi gjithsej 13 kritere nga të cilët studentët mund të fitojnë pikë. Ndërsa kriteri bazë për tu vendos në konvikt është që të jetë student i rregullt i Universitetit të Prishtinës. Qendra e Studentëve posedon rreth 4 mijë vende si për vajza edhe për djem. Ndërsa sa i përket gjinive ne i kemi dhënë përparësi gjinisë femërore. Proporcioni i dallimit të vendeve është 60 % e vendeve ndahen për gjininë femërore, kurse 40 % për gjininë mashkullore. Konkursi është publikuar me datën 4 dhe do të jetë i hapur deri me datën 13 në orën 15:00. Ndërsa rezultatet do të publikohen me 23 shtator”, ka thënë ai.

Beha ka thënë se studentët të cilët nuk do të kenë rastin të bëhen banorë të konvikteve, do të kenë mundësi për ushqim në mensën e studentëve.

“Studentët të cilët kanë siguruar pikë më shumë, normalisht ata sigurojnë edhe vendin në konvikte. Për numrin tjetër të studentëve të cilët nuk arrijnë pikët e fituara, ndahen 1500 vende për ushqim në restorantin e studentëve”, ka thënë Beha.

Beha ka folur edhe për kushtet e banimit dhe ushqimit në QS, për të cilat ka thënë se kanë punuar mjaftë shumë, duke bërë ndërrimin e shtretërve, dyshekëve, dyshemesë, si dhe rregullimin e pajisjeve higjienike e sanitare, për t’iu ofruar një jetë sa më të mirë studentëve banues.

“Në tre vitet e fundit QS ka qenë e fokusuar, ka ndërtuar 3 konvikte të reja, ka qenë e fokusuar në përmirësimin e kushteve në ato konviktet të cilat kanë qenë të ndërtuar para lufte. Normalisht si çdo vit tjetër QS ka bërë investime të ndryshme, si për shembull rregullimin e nyejve higjienike, sanitare të konvikteve komplet të tyre në konviktin numër 1. Ndërrimi i shtretërve në konviktet numër 1, 2, 3 dhe 5. Gëlqerosje në konviktet numër 2, 3 dhe 7. Ndërrimi i dyshekëve edhe në katër konviktet, si dhe ndërrimi i dyshemesë në konviktin numër 5. Në konviktin numër 6-7 do të bëhet ndërrimi i kërrigave. Të gjitha këto investime kanë për qëllim që të përmirësojnë kushtet akomoduese për një jetë më të mirë të studentëve banues të studentëve”, u shpreh ai.

Poashtu, Beha ka njoftuar se çmimet do të jenë të njëjta sikur në vitin e kaluar, gjithsej 35 euro për një muaj.

Krejt në fund, Beha ka përmendur se në bazë rregullores së brendshme, kategoritë e caktuara do të lirohen nga pagesa përgjatë qëndrimit në QS.

“QS edhe në vitin e ri akademik do të operojë me çmime të njëjta që kanë qenë edhe në vitin e kaluar. Studentët do të paguajnë për banim 20 euro ndërsa për ushqim 15 euro. Gjithsej 35 euro për një muaj, nuk do të ketë ndryshim të çmimeve. Në bazë të udhëzimit administrativ edhe në rregullore të brendshme, kategoritë e caktuara fitojnë pikë si për pranim në konvikte edhe lirohen nga pagesa të caktuar gjatë vitit që qëndrojnë në QS. Siç janë fëmijët e dëshmorëve, kategoria sociale fëmijët e të pagjeturve, etj”, u shpreh Beha.

 

——————————————–
Ju pëlqeu “Qendra e Studentëve në Prishtinë pranon 4 mijë studentë”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.

Loading...