Fundi i marsit do të sjellë verdiktin final të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Tashmë Kushtetuesja ka ndaluar çdo veprim institucional që lidhet me të deri më 31 mars, ndërsa sipas këtij vendimi edhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje për sa kohë që masa e përkohshme mbetet në fuqi.
Gjykata thekson se masa synon të shmangë dëme të mundshme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik.
Presidentja Vjosa Osmani ka mbrojtur vendimin duke theksuar se gabimet janë të natyrshme dhe se ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese është pikërisht për të rregulluar çështjet e kontestuara ligjore.
Në anën tjetër, në media ekzistojnë deklarime se Osmani u ndikua nga Edi Rama, madje ekzistojnë raportime se ky i fundit i ka premtuar post presidentes.
Lidhur me zhvillimet e fundit ka folur analisti Lirim Gashi, i cili thotë se Rama flet si artist, por Ballkani nuk është një galeri arti.
“Ballkani është një skenë e çuditshme ku politika nganjëherë ngjan me një teatër absurd.
Personazhet flasin për paqe, ndërsa historia e rajonit ende rënkon nga plagët e luftërave.
Në këtë skenë dramatike shfaqet një figurë që shpesh duket sikur ka ardhur nga një univers tjetër politik: Edi Rama.
Ai është një kryeministër që flet si artist, që mendon si kurator i një ekspozite moderne dhe që shpesh vepron si regjisor i një performance diplomatike.
Por problemi është se Ballkani nuk është një galeri arti.
Në këtë rajon çdo simbol ka peshë politike, çdo gjest diplomatik ka pasoja strategjike dhe çdo iluzion mund të shndërrohet në instrument të interesave të dikujt tjetër.
Pesë vjet para se të tjerët ta vërejnë këtë paradoks, unë publikisht e kam shprehur dyshimin tim.
Kjo nuk ndodhi sepse unë jam ndonjë Nostradamus politik që e sheh të ardhmen në mjegullat mistike të histories”, deklaron Gashi.
Ai ka analizuar profilin njerëzor dhe politik të Ramës, duke thënë se model i tillë prodhon rezultate që përputhen me interesat strategjike të Beogradit.
“Arsyeja ishte shumë më e thjeshtë dhe shumë më racionale.
Unë e analizova profilin njerëzor dhe politik të Ramës nga të gjitha këndvështrimet thelbësore:
1. Psikologjinë e tij personale
2. Stilin e tij të komunikimit politik
3. Rrethin e ndikimeve intelektuale, politike dhe mediatike mbi personin e tij.
4. Simbolikën e veprimeve të tij publike
dhe mbi të gjitha
5. Logjikën strategjike të vendimeve të tij në raport me Serbinë dhe Kosovën.
Kur këto elemente analizohen së bashku, ato krijojnë një model sjelljeje politike që shpesh prodhon rezultate që përputhen me interesat strategjike të Beogradit. Prandaj dyshimi im nuk ishte profeci. Ishte analizë politike”.
“Historia e këtij paradoksi fillon shumë përpara posteve të larta shtetërore. Ajo fillon në momentin kur Rama, ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, vendosi t’ia japë çelësin e qytetit muzikantit Goran Bregović. Në një vend normal kjo do të ishte një ceremoni e zakonshme kulturore. Por Ballkani nuk është një vend normal. Bregoviqi nuk është vetëm një artist. Ai është gjithashtu një figurë simbolike e kulturës politike jugosllave që shpesh ka shërbyer si një formë “soft poëer” e narrativës serbe. Ndikimi i tij në kulturën politike rajonale ka qenë aq i fortë sa një nga regjisorët më të njohur të Ballkanit, Emir Kusturica, përfundoi duke u bërë një nga mbrojtësit më të zëshëm të nacionalizmit serb pasi, sipas shumë kritikëve, ra në orbitën e ndikimit politik dhe kulturor të Bregoviqit. Dhe pikërisht këtu lind pyetja e parë serioze: A e kuptonte Rama simbolikën politike të këtij gjesti, apo e shihte atë thjesht si një akt artistik? Në Ballkan kjo pyetje nuk është naive. Ajo është vendimtare.”, shprehet Gashi.
Tutje, ai thoë se duhen shikuar këshilltarët e Ramës, duke përmendur Baton Haxhiun e Shkëlzen Maliqin
“Në politikë ekziston një rregull i vjetër: më thuaj kush janë këshilltarët e tu dhe do të të tregoj drejtimin e politikës tënde. Në orbitën e Ramës u shfaqën figura të ndryshme nga bota e ideve politike serbe dhe e mediave të krijuara dhe të financuara nga Serbia. Në këtë pikë ndodhi një episod që shumë pak njerëz e analizojnë me seriozitet. Analisti mediatik Baton Haxhiu ia propozoi Ramës si këshilltar filozofin Shkëlzen Maliqi. Në pamje të parë ky mund të dukej një rekomandim i zakonshëm intelektual. Por konteksti historik është shumë më kompleks. Shkëlzen Maliqi është djali i Mehmet Maliqit, apo i ish-kryeudbashit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, i cili për shumë vite ishte figura më e rëndësishme e strukturave të sigurisë jugosllave në Kosovë. Shkëlzeni u rrit dhe u formësua si personalitet në qarqet politike dhe intelektuale të Beogradit të epokës jugosllave. Kjo nuk është domosdoshmërisht provë e një komploti të drejtpërdrejtë. Por në Ballkan ekziston një realitet që shumë njerëz e harrojnë: Rrjetet e vjetra të ndikimit politik dhe kulturor nuk zhduken kurrë plotësisht. Ato vetëm e përsosin formën e veprimit destruktiv. Në këtë kontekst shumë analistë kritikë kanë ngritur pyetjen nëse Rama e ka pranuar këtë sugjerim të Baton Haxhiut, pa e kuptuar mund të ketë rënë në një kurth të vjetër të ndikimeve politike, që për dekada kanë vepruar në hapësirën shqiptare”. Kulmi simbolik i këtij paradoksi ndodhi kur Rama vizitoi Beogradin dhe u takua me presidentin serb Aleksandar Vučić. Vizita u paraqit si një moment historik”, analizon Gashi.
Në analizën e tij, Gashi tregon sesi Serbia fitoi imazh të ri ndërkombëtar, ndërsa realiteti i njëjtë.
“ Në mes të Beogradit, Rama përmendi Kosovën, ndaj shumë shqiptarë naivë u emocionuan. Por diplomacia nuk është spektakël emocional. Ajo është aritmetikë interesash. Serbia fitoi një imazh të ri ndërkombëtar: një shtet që duket i hapur për dialog dhe pajtim. Ndërsa realiteti mbeti i njëjtë: Kosova ende nuk njihet nga Serbia. Në kapitullin tjetër të kësaj historie shfaqet projekti Open Balkan. Një nismë që Rama e promovoi me entuziazëm së bashku me Vuçiçin. Në teori kjo ishte një ide ekonomike. Në praktikë, shumë analistë në Kosovë panë në të një rrezik strategjik: një strukturë rajonale që mund ta vendoste Serbinë në qendër të ekonomisë së Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye qeveria e Albin Kurti refuzoi të bëhej pjesë e kësaj nisme. Jo për shkak të kokëfortësisë. Por për shkak të një parimi të thjeshtë politik: nuk ndërton bashkëpunim rajonal me një shtet që ende nuk e pranon ekzistencën tënde. Në prapaskenën e politikës shqiptare ekziston edhe një kapitull tjetër për të cilin flitet rrallë publikisht. Sipas shumë kritikëve politikë, Baton Haxhiu ka pasur një ndikim të rëndësishëm edhe në formësimin e mendimit politik të Hashim Thaçit. Në vend që politika shqiptare ndaj Serbisë të ndërtohej mbi realitetin historik të gjenocidit dhe mbi vullnetin e popullit të Kosovës, Thaçi u shty drejt ideve që përpiqeshin ta zgjidhnin konfliktin jashtë këtij realiteti historik dhe jashtë këtij konteksti real politik”, thotë analisti.

Lirim Gashi
Në fund, ai shton se Rama u bind nga Haxhiu edhe për veriun e Kosovës.
“Në këtë proces, sipas shumë analizave kritike, Rama dhe Baton Haxhiu luajtën rol edhe në bindjen e Thaçit që ta pranonte krijimin e Gjykatës Speciale. Ironia historike qëndron në faktin se fillimisht Thaçi kishte deklaruar se do të bënte kundërpadi ndaj raportit të senatorit zviceran Dick Marty. Megjithatë, sipas interpretimeve të ndryshme politike që qarkullojnë në hapësirën publike shqiptare, ai u bind nga Baton Haxhiu dhe Edi Rama se Serbia posedonte dosje komprometuese kundër tij dhe se një kompromis territorial – përfshirë veriun e Kosovës – mund ta shpëtonte nga ndjekja personale nga Gjykata Speciale, ndërsa vetëm bashkëpunëtorët e tij do të dënoheshin. Nëse këto interpretime janë plotësisht të sakta apo jo, këtë do ta gjykojë historia. Por është e pamohueshme se ky episod krijoi një nga krizat më të thella politike në historinë e pasluftës së Kosovës. Shkrimtari rus Fyodor Dostoevsky shkruante se tragjeditë më të mëdha politike shpesh lindin nga naiviteti moral dhe jo nga ligësia. Një lider mund të besojë sinqerisht në pajtim. Ai mund të imagjinojë një Ballkan ku ekonomia bashkon popujt dhe historia harrohet. Por historia nuk harrohet kaq lehtë. Sidomos kur plagët janë ende të hapura. Historia është plot me paradokse. Ndonjëherë ndodh që njerëzit që duan të ndërtojnë paqe përfundojnë duke ndihmuar pa dashje strategjinë e palës armiqësore. Dhe pikërisht këtu lind dilema që shumë analistë në Kosovë e shtrojnë sot: A po e ndihmon politika e Ramës, në mënyrë objektive, strategjinë rajonale të Serbisë? Kjo është pyetja që historia do ta analizojë. Sepse në politikën ndërkombëtare ekziston një ligj i pamëshirshëm: nuk ka rëndësi vetëm çfarë synon një lider — por çfarë prodhon politika e tij. Ballkani ka një humor të zi të veçantë. Këtu ndodh shpesh që njerëzit që duan të jenë arkitektë të paqes përfundojnë duke ndërtuar pa dashje arkitekturën e dominimit të armikut shekullor. Dhe kështu historia e prodhoi një paradoks të madh:E prodhoi një politikan shqiptar, i cili pa kontratë dhe ndoshta pa vetëdije, përfundoi duke e luajtur rolin e një instrumenti të dobishëm për strategjinë e një shteti që ende nuk ka bërë paqe me historinë e vet. Në fund historia nuk pyet: “Çfarë kishe ndërmend?”
Ajo pyet vetëm: “Çfarë pasoje patën veprimet e tua për popullin tënd?” Dhe kjo është pyetja nga e cila askush nuk mund të shpëtojë”, përfundon Gashi.
