Home Lajme Rastet e dhunës në familje në rritje, viktima gratë

Rastet e dhunës në familje në rritje, viktima gratë

0
Rastet e dhunës në familje në rritje, viktima gratë

Rastet e dhunës në familje janë shtuar dukshëm në Kosovë.

Në raportet 24 orëshe të Policisë së Kosovës, pothuajse çdo ditë raportohen raste të ndryshme të dhunës në familje, shkruan lajmi.net.

Kampanja vetëdijësuese dhe protesta të ndryshme organizohen në lidhje me këtë dukuri që ndër vite po rritet e që viktimë në shumicën dërrmuese të rasteve janë gratë dhe fëmijët.

Lajmi.net ka siguruar statistikat nga Policia e Kosovës në lidhje me rastet e dhunës në familje gjatë 2 viteve të fundit.

Në vitin 2017 janë raportuar 1269 raste të dhunës në familje, prej tyre 227 meshkuj dhe 818 femra, ndërsa në 42 raste është realizuar strehimi i viktimave. Numri më i madh i rasteve sipas të dhënave të Policisë është në regjionin e Prishtinës me 298 raste, në regjionin e Prizrenit 242 raste, në regjionin e Pejës 211 raste, shkruan lajmi.net.

Më tutje, rastet më të shpeshta të evidentuara janë ato që ndodhin mes bashkëshortëve në 553 raste dhe rastet djalë-baba 142 raste.

Mosha më e ekspozuar ndaj kësaj dhune është ajo mes 20-30 vjeçare me 327 raste dhe mosha 30-40 vjeçare me 305 raste.

Numri i rasteve të vrasjeve brenda familjes gjatë vitit 2017 ishte 5.

Ndërsa, bazuar në nacionalitet, prijnë rastet e dhunës tek familjet shqiptare me 1045 raste, 107 të tilla janë tek komuniteti RAE, 87 sosh te komuniteti serb. Si të dyshuar për këto raste gjatë vitit 2017 janë arrestuar 400 persona.

Ndërkaq, gjatë vitit 2018, në polici janë raportuar afër 300 raste më shumë se në vitin 2017 të dhunës në familje, gjithsej 1541.

Viktima të dhunës në familje gjatë këtij viti ishin 308 meshkuj dhe 1189 femra ku në 29 raste është realizuar edhe strehimi i viktimave.

Edhe në vitin 2018, Prishtina prinë me numrin e rasteve të dhunës në familje me gjithsej 442 raste, Prizreni me 251 raste në vendin e dytë dhe Gjilani me 211 raste në vendin e tretë.

Rastet më të shpeshta të kësaj natyre në vitin 2018 kanë ndodhur në mes bashkëshortëve gjithsej 727 ndërsa ato në mes djalit dhe babait janë gjithsej 162 raste.

Gjatë 2018 janë 6 raste të vrasjes brenda familjes.

Bazuar në nacionalitete, në vitin 2018, 1287 raste kanë ndodhur tek familjet shqiptare, 123 tek komuniteti RAE, pasuar me 101 raste të komunitetit serb.

Si të dyshuar për kryerje të këtyre veprave penale në vitin 2018 janë arrestuar 499 persona.

E sociologu Halim Emerllahu duke folur për rastet e dhunës në familje, ka shpjeguar në detaje pse ndodhin këto raste dhe si mund t’i preventojmë.

“Familja është dukuri sociale, është problem sociologjik dhe njëra nga çështjet më shqetësuese si fenomen social e sidomos sot që jemi një shoqëri ende në periudhën e tranzicionit, por përballë përgatitjes për hyrje në shoqëri bashkëkohore e moderne.

Sot kemi diskutime sociologjike rreth temës së strukturës së familjes nga familja tradicionale në atë postmoderne për mënyrën e organizimit të familjes, ndarjes së përgjegjësive, do të thotë në kuptimin e performancës së familjes në kuptimin dinamik.

Dhe këtu fillojnë debatet në mes të burrit dhe gruas në organizimin e familjes monogame , kjo bëhet për ruajtjen e familjes dhe kështu familja mbetet organizimi për sigurinë sociale, morale dhe atë individuale, kjo është baza e ruajtjes së familjes monogame në organizimin e strukturës së familjes tradicionale”, ka thënë Emerllahu për lajmi.net.

Emerllahu gjithashtu ka shtuar se organizimi i familjes është shumë me rëndësi kur flasim për raste të tilla.

“Sot shumica e familjeve është në organizimin e strukturës së familjes postmoderne dhe lëvizjet shoqërore dhe organizimi i familjes është me përgjegjësi të njëjta si nga burri dhe gruaja dhe këtë strukturë të familjes gruaja është më autoritative në vendimmarrje, në lëvizje feministe me përgjegjësi publike, po ashtu shikohet si organizim aventure, si stil foto modele që bëjnë pjesë në organizimin e familjes postmoderne. Dhe shoqëritë që janë ende në periudhën dhe organizimin e familjes tradicionale, struktura postmoderne është e papranueshme nga vetë fakti se organizimi i familjes është më shumë në aspektin patriarkal me autoritet në vendimmarrje në familjen monogame është burri”, tha Emerllahu.

Sociologu Emerllahu gjithashtu ka numëruar se cilat janë mënyrat se si mund të vijmë deri te pakësimi i këtyre rasteve.

“Dhe këtu fillon ndëshkimi dhe papranueshmëria dhe abuzimi, dhuna fizike ndaj gruas, që ndikojnë po ashtu edhe kushtet ekonomike e sociale. Disa nga faktorët janë ai ekonomik, psikologjik, social, emocional, ligjor.

Për të shkuar në preventiv në mënyrë që për ta parandaluar këtë fenomen social duhet të shkojmë me teoritë social-psikologjike, për ta shikuar familjen si strukturë në ruajtjen e vlerave shoqërore si bazë e organizimit shoqëror si komunikim për ta ruajtur ambientin social si kohezion, si përgjegjësi morale e natyrore.

Komunikimi, dhënia e autoritetit, marrja dhe dhënia e përgjegjësive nga ana e dy partnerëve, edukimi, arsimimi, ambienti social dhe ndërtimi i duhur i strukturës së familjes do t’i pakësonin këto raste”, tha krejt në fund Emerllahu.

Edhe gjatë këtij viti në 3 mujorin e parë kemi pasur raste të dhunës në familje dhe ekspertët e fushës po e vlerësojnë si të rrezikshëm faktin e rritjes së këtyre rasteve. /Lajmi.net/

 

Loading...