Rritja e nivelit të detit mund të ketë pasoja më të rënda seç e kishim menduar…

112

Shkencëtarët besojnë se niveli i detit mund të rritet shumë më tepër se sa parashikohej, për shkak të përshpejtimit të shkrirjes së akullit në Groenlandë dhe në Antarktidë.

Deri më tani thuhej se niveli në detet e botës do të rritej me një maksimum prej vetëm një metër deri në vitin 2100.

Por studimi i ri, bazuar në mendimet e ekspertëve, parashikon që niveli i vërtetë mund të jetë rreth dyfishi i asaj shifre, transmeton tch.

Kjo mund të çojë në zhvendosjen e qindra miliona njerëzve, thonë autorët.

Çështja e rritjes së nivelit të detit ishte një nga çështjet më të diskutueshme të ngritura nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), kur botoi raportin e pestë të vlerësimit në vitin 2013.

Aty thuhej që ujërat globale do të rriteshin midis 52 dhe 98 cm deri në 2100.

Shumë ekspertë besojnë se ky ishte një vlerësim shumë konservativ.

Shkencëtarët e akullit janë gjithashtu të shqetësuar se modelet që aktualisht përdoren për të parashikuar ndikimin e fletëve të mëdha të akullit në nivelet e detit nuk kapin të gjitha paqartësitë rreth asaj se si këto janë duke u shkrirë.