Rusia thotë se ka vrarë dy militantë të dyshuar të ISIS-it

59

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se dy anëtarë të dyshuar të grupit militant, Shteti Islamik (IS), janë “likuiduar” gjatë një operacioni në Rusinë Qendrore.

Dy mjete shpërthyese dhe materiale të tjera për krijimin e bombave, janë në mesin e gjërave që janë konfiskuar gjatë operacionit të kryer në Tyumen, tha Komiteti Hetues përmes një deklarate për media, ka raportuar agjencia e lajmeve ruse, Interfax.

Më 12 prill, Interfax dhe TASS kanë raportuar se një “operacion antiterrorist” po zhvillohej në këtë qytet, në një banesë ku dyshohej se qëndronin militantët e IS-it, raporton REL.

Në Twitter janë publikuar fotografi ku tregohej një prezencë e shtuar e forcave policore dhe video ku dëgjoheshin të shtëna me armë.

Komiteti Hetues ka thënë se kanë qenë dy të dyshuar “të cilët po planifikonin sulme terroriste në rajon”.