Serbia ‘vajton’ platformën, Gjuriq kritikon ashpër Petroviqin pse e votoi

115

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka kritikuar deputetin e SLS-së, Slobodan Petroviq pse e votoi Platformën e Dialogut.

Deputeti serb i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Slobodan Petroviq, ka votuar në Kuvendin e Kosovës pro Platformës së Dialogut me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, pas këtij votimi ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbinë, Marko Gjuriq.

Në një intervistë dhënë për “TV Pink”, Gjuriq ka kritikuar këtë veprim të Petroviqit.

Madje Gjuriq miratimin e Platformës së Dialogut nga Kuvendi i Kosovës e ka quajtura si “vrasje me paramendim të dialogut”, ndërkaq votimin e Petroviqit e ka quajtur si jo përfaqësues të serbëve pasi që sipas tij, vetëm Lista Serbe është përfaqësues i serbëve në Kosovë.

“Lista Serbe është organizimi politik i serbëve në Kosovë e cila ka fituar mbi 90 për qind të votave të bashkatdhetarëve tanë. Dhe kjo Listë është formuar me idenë që serbët në Kosovë të mos ndahen politikisht nga shqiptarët, por që ata duhet të veprojnë në mënyrë të përbërë dhe unike”, tha Gjuriq për “TV Pink”, transmeton lajmi.net.

Mirëpo sipas tij, Sllobodan Petroviq dhe struktura e tij nuk janë pjesë e kësaj Liste. Gjuriq e ka mirëpritur mosvotimin e Platformës së Dialogut nga deputetët e Listës Serbe, duke thënë se Lista Serbe po lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“Përveç të gjitha problemeve, Lista Serbe po arrin gjithashtu të zbulojnë gënjeshtrat që Kosova paraqet përmes Sllobodan Petroviqit dhe të tjerëve si ai”, tha Gjuriq.

Gjuriq në këtë intervistë nuk ka reshtur së kritikuari Petroviqin, duke thënë se ai në vend që ta kundërshtonte këtë Platformë të Dialogut dhe Ligjin për Trepçën, ai po i mbështet edhe protestat kundër Vuçiqit dhe qeverisë serbe, transmeton më tutje lajmi.net.

Gjuriq shtoi se Petroviq ishte i vetmi serb i cili i bëri kuorum Kuvendit të Kosovës për miratimin e Platformës, ku sipas tij, me këtë platformë zgjidhja e vetme në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke.

“Slobodan Petroviq mbështeti publikisht miratimin e Platformës së Dialogut nga Kuvendi i Kosovës kryesuar nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj”, ka thënë Gjuriq.

Madje Gjuriq, votimin e Petroviqit dhe miratimin e Platformës po e cilëson si sulm shumë serioz për serbët dhe shqiptarët.

“Ky është një sulm shumë serioz për të ardhmen e serbëve dhe shqiptarëve”, është shprehur Gjuriq.

Kujtojmë se vet Slobodan Petroviq gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se ka frikë se mund ta ketë fatin e Oliver Ivanoviqit, pasi që siç theksoi Petroviq, ai dhe familja e tij janë kthyer në shënjestër prej momentit kur ai e votoi Platformën e Dialogut. /Lajmi.net/