“SHBA-të nuk kanë aleat më të madh se shqiptarët”

126

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj i cili po qëndron në vendin tonë i shoqëruar nga një delegacion shqiptaro-amerikan, sot ka mbajtur një konferencë ku ka folur për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe SHBA-ve.

Gjonaj u shpreh se pavarësia e pati një çmim, ndërsa theksoi se çdo metër katror i territorit të Kosovës është i përmbytur në gjak, lot dhe djersë.

Ai shtoi se kjo vizitë bart mesazhin që shqiptaro-amerikanët përcjellin me vëmendje zhvillimet që ndodhin në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në Ballkan ku jetojnë shqiptarët.

“Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm pas luftës dhe kjo ngroh zemrat tona. Duhet të vazhdojmë të punojmë për ta forcuar shtetësinë e Kosovës në të gjitha aspektet dhe elementet.

Kosova vazhdon të ballafaqohet me sfida, siç janë: anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, progresi ekonomik dhe stabiliteti, fuqizimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancime tjera të shtetësisë. Në takimet me liderët politikë, kam shprehur gatishmërinë e komunitetit shqiptaro-amerikan për të punuar së bashku. Mendojmë që shqiptaro-amerikanët munden dhe duhet të vazhdojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së. Ne jemi ura më e fortë mes shqiptarëve të Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ai.

Gjonaj theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të madh sesa shqiptarët e Ballkanit dhe shqiptarët nuk kanë aleat më të madh sesa Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kjo miqësi duhet të forcohet akoma më tepër.

Duke folur për raportet me Serbinë, Gjonaj shtoi se duhet t’ia përkujtojmë botës se çështjet me Serbinë nuk janë vetëm nga Kosova, por çështje dekadash e shekujsh. Ai tha se është përgjegjësia jonë ta edukojmë botën rreth asaj se çfarë u ka ndodhur shqiptarëve të Ballkanit.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut e shfrytëzoi këtë adresim për media për të apeluar tek liderët kosovarë që të jenë të unifikuar përpara bashkësisë ndërkombëtare, duke lënë anash dallimet dhe duke vënë në rend të parë interesat e vendit.

“Mesazhi që ua përcjell liderëve tanë këtu është t’i flasin bashkësisë ndërkombëtare me një zë. Liderët tanë dhe partitë politike luftuan së bashku gjatë luftës. Ishin vëllezër me mision. Ishin strategjikë. Që nga pavarësia, kanë humbur përqendrimin. Kërkojmë nga liderët tanë dhe partitë politike të lënë dallimet anash, të mendojnë sërish, të bëjnë një pushim dhe të vlerësojnë se ku jemi si popull, shtet dhe komb. Të vendosim nevojat e popullit në rend të parë. Të vendosin nevojat e shtetit në rend të parë”, deklaroi Gjonaj.

Ndryshe, delegacioni shqiptaro-amerikan i kryesuar nga Gjonaj që po qëndron prej ditësh në Kosovë ka pasur takime të ndara me krerët më të lartë të vendit.