Shoqata e Mullisëve thotë se furrtarët po rrisin çmimet për përfitime të veta

72

Prodhuesit e bukës në Kosovë, tashmë kanë filluar me rritjen e çmimit të bukës, nga 30 në 40 centë.

Rritjen e çmimit për 30 për qind, furrtarët e arsyetojnë me shtrenjtimin e miellit. Ndërsa Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, tha për televizionin publik se ngritja e çmimit të bukës në vendin tonë ka ndodhur edhe kur ka pasur rezerva të mëdha të grurit. Sipas tij, rritjen e çmimit po e bëjnë furrtarët për përfitime të veta.

Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, i tha Radio Kosovës se ngritja e çmimit të bukës në Kosovë ka nisur edhe më herët dhe rritje ka pasur edhe në kohën kur ka pasur rezerva të mëdha të grurit në treg. Sipas tij, ngritjen e çmimit po e bëjnë furrtarët për përfitime personale.

Çmimi i bukës në Kosovë, në përgjithësi ka pasur lëvizje edhe më herët, posaçërisht ngritje të çmimit ka pasur në kohën kur s’ka pasur furnizim të mjaftueshëm, por edhe kur ka pasur furnizim të tepruar. Kemi pasur raste kur çmimi i miellit ka qenë tejet i ulët por çmimin e bukës furrtarët nuk e kanë ulur, e kanë shfrytëzuar për përfitime të veta.

Disa nga furrtarët e intervistuar nga televizioni publik thënë se vendimi për ngritjen e çmimit të bukës është marrë pas ngritjes së çmimit të miellit në tregun vendor.

“Çmimi i bukës te ne është 40 centë, qysh me zbrit kur është ngritur çmimi i miellit. Vendimin për ngritjen e çmimit e kemi marrë së bashku me disa furrtarë të tjerë. Më vjen keq shumë për këtë ngritje, sepse të gjithë i dimë kushtet e jetesës në Kosovë”, ka thënë një furrtar.

Ndërsa Elhami Ismajli, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nëpërmjet telefonit tha se furrtarët mund ta ngritin çmimin e bukës dhe se kjo është çështje e tyre.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së shumti drithëra vendi ynë importon nga Serbia. Gjatë vitit 2018 Kosova ka importuar mbi 100 mijë tonelata grurë, ku mbi 90 për qind e kësaj sasie është importuar nga Serbia.