Shumë punëtorë të qeverisë amerikane ende nuk i kanë marrë pagat

129

Inspektorja e mishit, Alfreda Dennis Bower, ishte duke pritur që më në fund ta marrë pagën pas mbylljes së gjatë të qeverisë amerikane. Ajo është punëtore e Departamentit të Bujqësisë dhe ka rreth katër dekada përvojë pune. Ndonëse nuk ishte paguar, ajo e kishte vazhduar punën edhe gjatë kohës kur qeveria amerikane ishte e mbyllur.

Kur mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane u shpall e përfunduar, ajo kishte pritur që më në fund ta marrë pagën. Sipas saj, qeveria është dashur ta paguajë atë rreth nëntë mijë dollarë. Megjithatë, në vend të kësaj shume, qeveria ia dha vetëm 250 dollarë.

“Kur e pashë këtë shumë, e pyeta veten se ku është pjesa tjetër e pagesës”, thotë inspektorja 63-vjeçare. Më vonë, ajo e kuptoi se çeku i pranuar ishte shpërblim për punën e bërë gjatë kohës kur qeveria ishte e mbyllur. Sidoqoftë, edhe 120 inspektorë janë ende në pritje të marrjes së pagës.

Këta inspektorë janë pjesë e mijëra punëtorëve tjerë, të cilët janë përballur me vonesa të pagës ose ndryshim të shumave të të hollave. Shumë prej tyre thonë se i kanë marrë vetëm gjysmën e të hollave që iu takojnë. Për më tepër, disa punëtorë nuk janë paguar fare, shkruan “The Washington Post”, transmeton Gazeta Express.