Studenti kosovar ndërtoi pasqyrë të mençur

239

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen pajisja të jetë në tregun kosovar

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen pajisja të jetë në tregun kosovar

Studenti kosovar, Emin Emini ka krijuar një pasqyrë të mençur. Pajisja që ka krijuar ai nuk është si të zakonshmet që jemi mësuar t’i shohim në shtëpitë tona.

Emini në një intervistë për KALLXO.com tregoi karakteristikat e saj. “Si një zhvillues softwerik që vazhdimisht shikon të zgjidh probleme dhe ta lehtësoj jetën e njerëzve, unë kam menduar që informatat, si moti, lajmet, ora, data dhe informatat e tjera që kemi nevojë për to çdo ditë, t’i shfaqi në një pasqyrë ku do të jenë vazhdimisht të shfaqura dhe të mos kemi nevojë ta shikojmë telefonin, ta hapim televizorin vazhdimisht, apo laptopin dhe pajisje të tjera”, tha Emini për KALLXO.com

Karakteristike tjetër e pasqyrës touch, sipas Eminit është edhe selektimi i informacioneve për fusha të caktuara.“Me pasqyrën mund të shikoni filma, video të ndryshme, mund te lexoni lajme në portale të ndryshme , apo mund të selektoni portalet e dëshiruara, emrat e dëshiruara, shembull dikush është i interesuar për biznes, dikush për politike dhe ato informacione u shfaqen në pasqyrë”, tha Emini.

Emini sqaroi për Kallxo.com se pse ka vendosur që të shfaqë mesazhe pozitive në këtë pasqyrë. “Pikërisht ka qenë kjo arsyeja pse e kam përdorur këtë funksion të tillë, që përdoruesin ta motivojë, ta shtyjë që përmes një mesazhi pozitiv të ketë një ditë më pozitive, të ketë më shumë motiv dhe të jetë më pozitiv gjatë ditës”, theksoi ai.

Ai shtoi se pajisja e mençur i mori kohë vetëm një javë deri në realizim. “Duke pasur parasysh që jam një student dhe kjo pasqyrë ka qenë si punë dytësore, ka zgjatë nëse e kalkulojmë 48 orë, por kështu kam punuar rreth një javë”, tha ai.

Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që në të ardhmen kjo pajisje të jetë në tregun kosovar. “Si fillim jam ende duke e avancuar para se të fillojë të del në treg, në funksionet duke i shtuar edhe më tepër dhe të jetë më të përshtatshme për popullsinë e Kosovës dhe që në të ardhmen ndoshta edhe të shumohet dhe çdo kush ta ketë në shtëpinë në bizneset e tyre edhe vende të tjera”, shtoi Emini.