Aktuale

1 miliard euro dhe një takim “sekret” në Tiranë! Si u VULOS MARRËVESHJA për minierat e Bilishtit me 500 mijë ton nikel dhe 25 mijë ton kobalt

Javën e kaluar, një nga lajmet që u komentua gjerësisht në mediat shqiptare dhe ato fqinje, ishte vizita e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Video e takimit në hyrje të Kryeministrisë bëri xhiro në rrjet, ndërsa u ngritën një sërë pikëpyetjesh mbi arsyen e kësaj vizite.

Së fundmi, media greke Kathimerini i ka kushtuar një artikull investimeve dhe planeve “sekrete” të tre qeverive, Greqisë, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm në vendin tonë, specifikisht në qytetin e vogël juglindor, Bilisht.

Sipas “Kathimerini” grupi grek AKTOR njoftoi zyrtarisht hyrjen e tij në sektorin minerar të vendit, duke nënshkruar një marrëveshje kuadër me BNI Foundation për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerale kritike, përfshirë nikelin dhe kobaltin.

Projekti parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët (Joint Venture) sipas ligjit shqiptar, ku AKTOR do të ketë 51% të aksioneve përmes filialit të tij AKTOR Metal, ndërsa BNI Foundation 49%.

Vlera totale e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, llogaritet të arrijë në 1 miliard euro. Një pjesë e madhe e financimit do të sigurohet nga kapital amerikan, ndërsa projektin do ta mbështesin teknikisht dhe këshillimisht kompani me bazë në SHBA, duke treguar rëndësinë strategjike të tij për zinxhirin perëndimor të furnizimit me burime kritike.

Zona e Bilishtit përfshin rezervat minerare të vlerësuara në mbi 500.000 ton nikel dhe 25.000 ton kobalti, duke e bërë këtë një nga rezervat më të mëdha të Evropës. Marrëveshja përfshin jo vetëm nxjerrjen e mineraleve, por edhe ndërtimin dhe funksionimin e impianteve të përpunimit.

Madje sipas kësaj media thuhet se ambasadorja në takimin e së enjtes mbrëma me kryeministrin Rama nuk ka qenë e vetme. Ajo është shoqëruar edhe nga kreu i grupit AKTOR, Aleksandros Exarchou, ku dhe flitet se kanë biseduar pikërisht për këtë investim prej 1 miliardë eurosh në qytetin e Bilishtit.

Të Ngjashme