Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të përforcohet me 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët do të angazhohen në garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në institucionet korrektuese në vend.
Sipas saj, Shërbimi Korrektues është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, që siguron jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo theksoi se kadetët e rinj do të sjellin energji dhe përgjegjësi në këtë profesion që kërkon disiplinë dhe integritet të lartë.
“Që sot këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë”, ka thënë ministrja.
Sipas saj, roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e rendit në institucionet korrektuese, por lidhet edhe me procesin e riintegrimit të personave të privuar nga liria në shoqëri.
“Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm”, theksoi ajo.
Në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim profesional gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të këtij profesioni.
Gërvalla shtoi se Kosova ka bërë përparime në trajtimin e personave të privuar nga liria, progres që është reflektuar edhe në vlerësimet e Këshilli i Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë këtë fushë.
