Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj opozitës, duke e akuzuar për pengimin e funksionimit të institucioneve gjatë vitit të fundit.
Sipas tij, bojkotet dhe sabotimi institucional kanë shkaktuar dëme serioze për shtetin, dobësuar besimin e qytetarëve dhe kanë përfituar palët e jashtme, duke përfshirë edhe Serbinë.
Geci në shkrimin e tij në Facebook, theksoi se kritika është pjesë e demokracisë, por bllokada e vazhdueshme pa alternativa konkrete nuk është tjetër veçse papërgjegjësi politike, dhe fton opozitën të zgjedhë mes pjesëmarrjes aktive në zgjidhje ose mbajtjes së përgjegjësisë për dëmin që po shkakton vendit, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
12 muaj bllokadë: Opozita që po merr peng shtetin
Nga bojkotet sterile te sabotimi institucional, si po e dëmton opozita funksionimin e Kosovo në një moment kritik historik
Gjatë 12 muajve të fundit, Kosova nuk është përballur me një debat të zakonshëm politik, por me një bllokadë të qëllimshme institucionale. Në një kohë kur bota po ndryshon me shpejtësi marramendëse dhe shtetet po forcojnë pozicionet e tyre ndërkombëtare, vendi ynë po mbahet peng nga një opozitë që ka zgjedhur bojkotin si strategji të vetme.
Kjo nuk është më opozitë funksionale ,kjo është sabotim politik.
Në vend që të ofrojë alternativa, programe dhe vizion, opozita ka zgjedhur rrugën më të lehtë: pengimin e institucioneve. Por çdo ditë bllokade ka kosto reale: humbet besimi i qytetarëve, dobësohet shteti dhe dëmtohet serioziteti ndërkombëtar i Kosovës.
Ndërkohë, Serbia nuk ka nevojë të veprojë shumë. Çdo krizë e brendshme në Kosovë shndërrohet në avantazh për të në arenën ndërkombëtare. Dobësia jonë e brendshme është forca e të tjerëve.
Është e rëndësishme të bëhet dallimi: kritika është themel i demokracisë. Por bllokada e vazhdueshme, pa asnjë alternativë konkrete, nuk është demokraci ,është papërgjegjësi.
Opozita nuk mund të justifikohet pafundësisht me bojkot. Ky mjet, i cili duhet të jetë i jashtëzakonshëm, është kthyer në rutinë. Dhe kjo tregon qartë mungesë vizioni dhe mungesë gatishmërie për të marrë përgjegjësi politike.
Pas 12 muajsh bllokadë, një pyetje mbetet thelbësore: çfarë ka fituar Kosova nga kjo qasje? Përgjigjja është e thjeshtë ,asgjë. Ndërsa humbjet janë të dukshme çdo ditë.
Nuk ndërtohet shteti duke mbyllur institucionet.
Nuk mbrohet demokracia duke e paralizuar atë.
Dhe nuk fitohet besimi i qytetarëve duke prodhuar vetëm kriza.
Kosova nuk ka luks për lojëra politike dhe inate partiake. Në këtë moment historik, vendi ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe veprim institucional.
Mesazhi është i qartë: opozita duhet të zgjedhë ,të bëhet pjesë e zgjidhjes, ose të mbajë përgjegjësinë për dëmin që po i shkakton shtetit.
Sepse në fund të fundit, Kosova është më e madhe se çdo parti.
