Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​120 karrige të zbrazëta para Kuvendit, shoqëria civile kundër bllokimit politik

 
   

Bllokimi në Kuvendin e Kosovës ka nxitur reagimin e organizatave joqeveritare. Ata sot para Kuvendit të Kosovës kanë vendosur karrige, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj bllokimit të procesit.

“Politikanëve iu ka ndalë ora, kuvendi është jofunksional ju lutemi provoni më vonë, ky nuk është serial është shteti ynë, cirku i demokracisë”. Këto ishin disa nga thëniet që organizatat kishin vendosur në karriget.

E në karrigen e kryesuesit ata kishin vendosur një letër ku shkruante “boll”!

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se kjo është paradoksale dhe tejet shqetësuese.

Cakolli: Këto shpërfaqen një realitet i cili është paradoksal

Sot organizatat e shoqërisë civile, janë mbledhur para Kuvendit të Kosovës për ta zhvilluar këtë aksion simbolik protestues i cili shpreh shqetësimin tonë të thellë, si organizata në raport me krizën institucionale e cila po mbizotëron në vend. Në fakt, ky aktivitet është shprehje publike e pakënaqësisë tonë në formën më konkrete të mundshme, duke i vendosur 120 karrige të zbrazëta të cilat përfaqësojnë secilin deputetë të kuvendit, të cilët nuk janë duke e përmbushur mandatin dhe obligimin e tyre, për të funksionalizuar institucionet. Këto shpërfaqen një realitet i cili është paradoksal, që përfshin një kuvend që ekziston si strukturë dhe në letër po që nuk prodhon asgjë përmbajtje në funksion”, tha Cakolli.

Ndërsa, Rrezarta Krasniqi u bën thirrje të gjitha partive politike që të kenë një dialog të përbashkët për të dalur nga ky ngërç politik.

Krasniqi paralajmëroi edhe aktivitete të tjera të cilat do të jenë më të mëdha se ky i sotshmi.

Krasniqi: Do të kemi edhe aktivitete të tjera

U bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare që të kenë një dialog, kompromis me një agjendë të vetme e cila është interesi publik dhe interesi i qytetarëve si kemi një kuvend funksional. Ne si shoqëri civile me aksionin e sotëm kemi qenë të qetë, mirëpo në ditët në vijim do të kemi edhe aktivitete të tjera të cilat do të jenë edhe më të zëshme derisa të kemi një kuvend të plotë dhe funksional”, shtoi Krasniqi.

Ata gjithashtu kishin vendosur disa ora të vogla afër karrigeve si simbol i kohës, e cila po ikën që nga 9 shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare.