Një aeroplan i vogël u rrëzua të mërkurën në një zonë rurale të provincës Norte de Santander në verilindje të Kolumbisë, duke vrarë të 15 personat në bord, përfshirë një anëtar të kongresit, thanë autoritetet.
Satena, linja ajrore shtetërore që operoi fluturimin, tha se zyrtarët lokalë në komunitetin e Curasica-s njoftuan autoritetet për vendin ku ishte rrëzuar avioni dhe një ekip shpëtimi u dërgua për të “vlerësuar gjendjen e pasagjerëve”.
Ministria e Transportit e Kolumbisë lëshoi më vonë një deklaratë të cilën e citon AP duke thënë se “pasi avioni u gjet në vendngjarje, autoritetet me keqardhje konfirmuan se nuk kishte të mbijetuar”.
Aeroplani, i cili ka një numër regjistrimi HK4709, u ngrit në orën 11:42 të mëngjesit sipas kohës lokale nga aeroporti në Cucuta, kryeqyteti i departamentit, me destinacion Ocana, një komunë e rrethuar nga male, në një fluturim që zakonisht zgjat rreth 40 minuta.
Kontakti i fundit i avionit me kontrollin e trafikut ajror ndodhi disa minuta pas ngritjes, sipas një deklarate të lëshuar nga Satena.
Zyrtarët nuk dhanë një shkak për rrëzimin, por thanë se do të ketë një hetim.
