Lajme

18 vjet nga djegia e pikave doganore në Mitrovicë

Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Republika e Kosovës në vitin 2008, sot bëhen 18 vjet nga djegia e dy pikave doganore 1 dhe 31 në Mitrovicë. Më 19 shkurt 2008, grupe serbësh shkuan në Jarinjë, ku dogjën pikën policore, ndërsa në Bërnjak e shkatërruan atë me eksploziv.

Dy pikat doganore në Bërnjak e Jarinjë 18 vjet më parë, ishin në flakë. Grupet e mirëorganizuara kriminale serbe ua kishin vënë flakën dy pikave të kontrollit doganor, në përpjekje për të marrë vetë kontrollin në këtë pjesë.

18 vite pas, dy pikat kufitare, Jarinja dhe Bërnjaku, operojnë sipas rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës, duke ofruar siguri edhe për qytetarët.

Vetëm pas një viti, në shkurt 2009, Dogana e EULEX-it nisi evidentimin e mallrave komerciale. Dogana e Kosovës u rikthye në këto dy pika në vitin 2011. Megjithatë, mjetet nga tatimet doganore që mblidhen atje vazhdojnë të mbeten në Fondin Zhvillimor për Veriun.

Ndërkohë, institucionet e sigurisë kishin bërë disa herë përpjekje për t’i vënë nën kontroll këto dy pika, por kjo ishte e pamundur. Një aksion i madh i Policisë së Kosovës më 25 korrik 2011 arriti ta rivendosë kontrollin, por gjatë tij u vra polici Enver Zymberi, hero i pasluftës.

Edhe pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Mitrovica nuk gjeti qetësinë e plotë. Megjithëse rojat e urës, sipas marrëveshjeve, u integruan në institucionet lokale, bllokimet e rrugëve vazhduan të ndodhnin herë pas here nga grupe të ndryshme kriminale.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se ajo ishte një periudhë e vështirë për institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Pika kufitare në Jarinjë, por edhe në Bërnjak, janë kallur dhe janë djegur në sy të ndërkombëtarëve nga këto grupe kriminale dhe famëkeqe. Ka qenë periudhë e vështirë prej ’99… ato grupe nuk ekzistojnë në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Tetëmbëdhjetë vjet më pas, situata paraqitet ndryshe. Sot, në katër komunat me shumicë serbe, rrugët nuk bllokohen më, ndërsa institucionet e sigurisë kanë mbyllur disa rrugë ilegale. Janë ndërtuar gjithashtu disa stacione të Policisë së Kosovës për të garantuar sigurinë e qytetarëve që jetojnë në këto komuna.

Dy vjet më parë, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Të Ngjashme