Gjenocidi nazist ndaj romëve dhe sintëve, u kushtoi jetën rreth 500.000 vetëve, por u deshën dekada të tëra derisa Gjermania e njohu atë zyrtarisht. Po ashtu u deshën dekada derisa “Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve dhe Sintëve”, e cila shënohet çdo vit më 2 gusht, të shpallej ditë përkujtimore zyrtare në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
Me nismën e organizatave rome nga Polonia, më 2 gusht 1994, në kuadër të një ceremonie të madhe përkujtimore, në ish-kampin e përqendrimit Aushvicit u përkujtua për herë të parë i ashtuquajturi “likuidim i kampit të ciganëve” në Birkenau. Kjo ndodhi natën mes 2 dhe 3 gushtit 1944. Që më parë për shkak të kequshqyerjes, sëmundjeve dhe të epidemive, mijëra të internuar kishin vdekur. Atë natë mijëra romë dhe sintë të burgosur në kamp nga nacional-socialistët gjermanë, u vranë në dhomat e gazit, u pushkatuan ose u rrahën për vdekje.
Vetëm në vitin 2015, falë një nisme të Parlamentit Evropian, Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve dhe Sintëve u bë edhe në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane ditë përkujtimore që shënohet zyrtarisht me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive.
Edhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore zhvillohen ceremoni përkujtimore, edhe pse jo kudo 2 gushti është ditë përkujtimore zyrtare. Në këto vende gjatë përkujtimi të kësaj dite shpesh ngrihet edhe çështja e diskriminimit dhe e paragjykimeve ndaj romëve në ditët e sotme dhe pasojave të tyre.
Poloni: Ditë përkujtimore prej 15 vitesh
Në Poloni, ku jetojnë rreth 30.000 romë, 2 gushti kremtohet si ditë zyrtare përkujtimore që nga viti 2011. Me këtë rast përfaqësues të parlamentit dhe të qeverisë shkojnë rregullisht në Aushvicit për të marrë pjesë në ceremonitë e përkujtimit.
Një tjetër ceremoni e rëndësishme përkujtimore zhvillohet çdo vit më 3 korrik në fshatin Szczurowa, në lindje të Krakovit, në kujtim të një masakre të kryer nga gjermanët ndaj romëve polakë në vitin 1943. Në Szczurowa u ngrit në vitin 1956 monumenti i parë në Evropë kushtuar viktimave të gjenocidit ndaj romëve.
Edhe në qytete të vogla dhe fshatra të tjerë të Polonisë juglindore, çdo verë përkujtohet vrasja e romëve polakë gjatë periudhës së pushtimit gjerman.
Hungari: Anticiganizmi dje dhe sot
Në Hungari, ku sot jetojnë rreth 600.000 romë, 2 gushti dita përkujtimore e Holokaustit të romëve, kremtohet që nga viti 2005 në shumë zona. Vetëm në Budapest ka aktualisht tre monumente dhe vende përkujtimore kushtuar romëve të vrarë gjatë Holokaustit, ku zhvillohen ceremoni përkujtimore.
Arsyeja për këto dhe shumë monumente të tjera në vend është fakti se romët hungarezë, u bënë viktima të deportimeve dhe vrasjeve veçanërisht pas fillimit të pushtimit gjerman në vitin 1944 dhe gjatë sundimit të Kryqshigjetarëve, nacional-socialistëve hungarezë.
Çeki: Dikur fermë derrash, sot qendër përkujtimore
Në Republikën Çeke, ku jetojnë rreth 250.000 romë, 2 gushti kremtohet zyrtarisht që nga viti 2015. Ceremonia më e rëndësishme përkujtimore zhvillohet në lokalitetin Lety, në jug të Pragës, ku organizatat rome përkujtojnë prej dekadash gjenocidin ndaj romëve. Aty nacional-socialistët gjermanë ngritën në vitin 1940 një kamp përqendrimi, në të cilin, duke filluar nga viti 1942, u deportuan familje rome.
Pas luftës territori i kampit u përdor si fermё për mbarështimin industrial të derrave. Pas një debati dhe polemike të gjatë publike kjo veprimtari u ndërpre në vitin 2018 dhe vendi u shndërrua në një qendër përkujtimore. Një tjetër vend i rëndësishëm përkujtimor është Hodonín, në veri të Brnos, ku në vitet 1942-1943 ndodhej gjithashtu një kamp përqendrimi gjerman për romët. Këtu përkujtohet ndër të tjera deportimi masiv i romëve më 21 gusht 1943 drejt Aushvicit.
Sllovaki: Ditë përkujtimore që nga viti 2005
Në Sllovaki, ku jetojnë rreth gjysmë milioni romë, 2 gushti është shpallur ditë zyrtare përkujtimore që në vitin 2005. Ceremonia qendrore përkujtimore në këtë ditë zhvillohet në ambientet e Muzeut të Kryengritjes Kombëtare Sllovake (SNP) në Banska Bystrica, në qendër të Sllovakisë. Ky muze kujton kryengritjen antifashiste sllovake të vitit 1944.
Veprimtaria përkujtimore organizohet nga qeveria, përkatësisht përmes të ngarkuarit të saj për çështjet rome, në bashkëpunim me organizata dhe nismaa joqeveritare rome. Në të marrin pjesë edhe përfaqësues përfaqësues nga Zyra e Presidentit.
Maqedonia e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, ku jetojnë rreth 100.000 romë, 2 gushti është shpallur zyrtarisht Ditë Përkujtimore e Holokaustit të Romëve që nga viti 2017. Ceremonia qendrore përkujtimore zhvillohet në Shkup, në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit për Hebrenjtë e Maqedonisë.
Por duke qenë se 2 gushti është gjithashtu edhe festë kombëtare në Maqedoninë e Veriut, e njohur si Dita e Republikës, përkujtimi i gjenocidit ndaj romëve mbetet disi në hije.
Serbi dhe Kroaci
Në Serbi, ku ka rreth 130.000 romë, 2 gushti nuk është ditë përkujtimore zyrtare për gjenocidin ndaj romëve. Megjithatë gjatë ditëve të tjera përkujtimore kushtuar viktimave të politikave gjenocidale të regjimit nazist dhe të ustashëve, përkujtohen gjithashtu edhe viktimat rome të gjenocidit.
Kurse në Kroaci, ku jetojnë rreth 25.000 romë, 2 gushti u shpall ditë përkujtimore në vitin 2014.
Bullgari, Shqipëri, Kosovë
Në Bullgari, ku jetojnë rreth 700.000 romë, 2 gushti nuk është shpallur zyrtarisht si ditë përkujtimore. Megjithatë kjo datë shënohet me aktivitete dhe ceremoni përkujtimore të organizuara nga shoqatat dhe organizatat rome.
Edhe në Kosovë dhe Shqipëri nuk ekziston një ditë e veçantë kombëtare e përcaktuar me ligj për përkujtimin e gjenocidit ndaj romëve. Por kjo ditë shënohet nga organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë romë, të cilët organizojnë aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në kujtim të viktimave të gjenocidit ndaj romëve. / DW
