
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot përmes një organizimi solemn ka shënuar 25-vjetorin e themelimit.
Me këtë rast, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kjo parti u lind nga liria, u rrit me liri dhe veproi në shërbim të lirisë duke mbrojtur paqen në Kosovë.
Ai tha se AAK-ja u bë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike dhe do të vazhdojë ndihmën për rritjen ekonomike të Kosovës.
Haradinaj: AAK do të vazhdojë ndihmën për rritjen ekonomike të Kosovës
“Aleanca lindi nga liria. U rrit me liri. Veproi në shërbim të lirisë dhe mbrojti paqen dhe lirinë në Kosovë. Aleanca në themelimin e vet u bë themeluese e demokracisë dhe e pluralizmit dhe mbrojti demokracinë e Kosovës. Aleanca u bë themeluese e institucioneve dhe i mbrojti ato… Aleanca u bë themeluese e ushtrisë dhe mbrojtjes së Kosovës. Aleanca u bë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike dhe do të vazhdojë ndihmën për rritjen ekonomike të Kosovës”, tha Haradinaj.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini tha se gjatë këtyre 25 vjetëve nuk ka pasur asgjë qe e ndalë Aleancën. Në fjalimin e Gjinit, nuk munguan thumbat për Kurtin, për çka përmendi sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, degradimin e ekonomisë dhe cenimin e lirisë së medias.
Gjini: Qeveria Kurti vendosi Kosovën nën sanksione dhe e degradoi ekonominë e saj
“Është sfidë e jashtëzakonshme që para 25 vjetëve ka pasur shumë njerëz që kanë menduar se Ramush Haradinaj e ka një lëvizje të njëhershme politike. Por kanë kaluar 25 vjet dhe s’ka pasur asgjë që e ndalë Aleancën… Aleanca ka mision ende dhe do ta vazhdojë misionin. Ai mision është të mos mbërrijmë ta shohim Kosovën në këtë gjendje çfarë e kemi sot. Kush kishte thënë para 25 vjetëve që vjen dita të vijë një qeveri, e cila e vendos Kosovën nën sanksione. Askush nuk kishte besuar. Kush kishte besuar që në vend se të shkohet duke u avancuar Kosova do të nisë ta degradojë ekonominë. E në fund, kush do të thoshte se në Kosovë do të cenohet liria e medias. Të gjitha këto kanë qenë të paimagjinueshme”, tha Gjini.
Në eventin e organizuar nga AAK-ja morën pjesë ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë në vend.
AAK në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ishte pjesë e koalicionit me Nisma Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke fituar së bashku tetë mandate në Kuvendin e ri, i cili ende nuk është konstituuar për shkak të ngërçit politik.