Sot, më 2 nëntor 2025, bëhen 26 vjet nga kidnapimi dhe vrasja e veprimtarit të LDK-së, Haki Imeri, ngjarje që familja dhe miqtë e tij e cilësojnë si simbol të padrejtësisë dhe heshtjes institucionale. Në një reagim publik, familja Imeri thekson se drejtësia në Kosovë ka dështuar të hetojë me vendosmëri vrasjet politike, duke akuzuar institucionet se kanë zgjedhur të heshtin aty ku duhej të vepronin me forcën e ligjit.
Sipas familjes, Haki Imeri — atëkohë kryetar i LDK-së në bashkësinë lokale të Turiqevcit dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së në Skenderaj — u rrëmbye dhe u ekzekutua mizorisht më 1999 nga persona ende të pandëshkuar. Ata shprehin shpresën se drejtësia ndërkombëtare, përmes proceseve në Hagë, do të ndriçojë më në fund këto krime politike.
“Drejtësia mund të vonojë, por nuk guxon të harrojë”, përfundon reagimi i familjes Imeri.
Shkrimi i plotë:
-Te dashur miq,
-Drejtësia që vonon, por nuk duhet të harrojë
-Përvjetorët e vrasjeve politike vijnë e shkojnë, ndërsa drejtësia ende përpiqet të gjejë zërin dhe guximin për të kryer punën e saj.
-Institucionet e drejtësisë në Kosovë, përfshirë te gjitha , kanë dështuar të hetojnë me vendosmëri vrasjet politike që kanë ndodhur në vend.
– Përkundrazi, shpeshherë është krijuar përshtypja se ato janë përpjekur t’i mbulojnë krimet, të fshehin gjurmët, dhe të heshtin aty ku duhej të flisnin me forcën e ligjit.
-LDK-ja, që në periudha të ndryshme ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për fat të keq, nuk arriti asnjëherë të sjellë rezultate konkrete për ndriçimin e këtyre vrasjeve politike që kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë.
-Sot, më 2 nëntor 2025, bëhen 26 vjet nga kidnapimi dhe vrasja e Haki Imerit — një ngjarje tragjike që mbetet simbol i padrejtësisë dhe heshtjes institucionale.
– Në momentin kur u rrëmbye, Haki Imeri ishte duke udhëtuar nga fshati Vajnike drejt Skenderajt, kur disa kriminelë e ndaluan, e rrëmbyen dhe e dërguan në fshatin Aqarevë, ku u ekzekutua mizorisht.
-Në atë kohë, ai mbante postin e kryetarit të LDK-së në bashkësinë lokale të Turiqevcit dhe ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së në Skenderaj — një intelektual i përkushtuar ndaj atdheut , lirisë, paqes dhe demokracisë.
-Në Hagë, sot po gjykohet kreu i asaj që quhet “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, Hashim Thaçi, por drejtësia do të ishte më e plotë nëse para saj do të përgjigjeshin edhe komandantët e zonave të cilët, sipas shumë dëshmive, te ekipes se mbrojtjes se Hashim Thaçit dhe deshmitareve te tij, komandantet e zonave kanë qenë përgjegjës për vrasjet politike që përfshihen në mandatin kohor të Gjykatës Speciale.
-Shpresa jonë mbetet që viti i ardhshëm të sjellë lajme të mira nga drejtësia ndërkombëtare — që krimet të mos mbeten të pandëshkuara, e që zërat e atyre që u flijuan për idealet demokratike, si Haki Imeri, të marrin më në fund drejtësinë që meritojnë.
-Sepse drejtësia mund të vonojë, por ajo nuk guxon të harrojë.

