
Përfaqësues të mbrojtjes britanike në Kosovë dhe liderë institucionalë të vendit kanë shënuar përvjetorin e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, një moment kyç që çoi në çlirimin e vendit dhe fundin e luftës më 1999.
Në një postim, Atasheu i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë njoftoi se ceremonia u zhvillua në Kosovë me pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres së Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla.
“Është kënaqësi të shënojmë përvjetorin e ndërhyrjes së KFOR-it këtu në Kosovë me kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla,” thuhet në postim.
Ndërkohë, në Londër veteranët e Ushtrisë Britanike u bashkuan me miq nga komuniteti kosovar në Mbretërinë e Bashkuar, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyrës për Mbrojtje për të kujtuar bashkë kontributin e tyre dhe sakrificën për paqen në Kosovë.
Kjo ngjarje përkujtuese nënvizon marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Londrës për stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.