Lajme

​27-vjetori i Marrëveshjes së Ramubjesë: Një pikë kthese në rrugën e Kosovës drejt lirisë

Sot shënohet 27-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

Në vitin 1999, përfaqësuesit politikë të Kosovës firmosën këtë marrëveshje për paqe me Serbinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit me fuqitë perëndimore dhe institucionet ndërkombëtare demokratike. Mirëpo, Serbia, si palë agresore në luftën në Kosovë, nuk e pranoi marrëveshjen, gjë që u bë një nga arsyet kryesore për ndërhyrjen e NATO-s, shkruan KosovaPress. 

Kjo marrëveshje erdhi në një periudhë të tensionuar, kur konflikti në Kosovë kishte arritur kulmin dhe kërkohej një zgjidhje urgjente për ndaljen e dhunës. Edhe pse nuk u pranua nga pala serbe, dokumenti i Rambouillet-it shërbeu si bazë për ndërhyrjen ndërkombëtare, përfshirë fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.

Pas zhvillimeve të mëvonshme, Kosova hyri në një fazë të re, duke kaluar nën administrimin ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me përfshirjen e gjerë të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Kjo periudhë krijoi kushtet për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e proceseve politike.

Kosova në Rambouillet u përfaqësua nga një delegacion i gjerë politik, i cili përfshinte figura kryesore të spektrit politik dhe ushtarak shqiptar të kohës, me qëllim paraqitjen e një fronti të përbashkët.

Të Ngjashme