
Sot mbushen 28 vjet nga ndarja nga jeta e Shën Nënë Terezës, humanistes së madhe shqiptare, e cila u bë simbol i paqes, dashurisë dhe përkujdesjes për më të varfrit e botës.
Me këtë rast, në orën 11:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë do të mbahet një meshë solemne kushtuar jetës dhe veprës së saj. Organizatorët thërrasin besimtarët: “Ejani ta nderojmë bijën tonë të shenjtë, Nënën e Njerëzimit, Ambasadoren e popullit tonë të lashtë.”
Jeta dhe vepra
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Përmes misionit të saj në Kalkutë, ajo ngriti shkolla, spitale, klinika dhe shtëpi për të braktisurit. Në mesin e viteve ’80, vetëm në një dekadë të punës së saj, ajo kujdesej për qindra mijëra të sëmurë, pleq të braktisur dhe fëmijë jetimë.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta. Ajo u shpall e bekuar më 2003 nga Papa Gjon Pali II, ndërsa më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku.
Mrekullitë që çuan në shenjtërim
1998, India: Shërimi i mrekullueshëm i Monika Besra, e cila dëshmoi se u shërua nga tumori pas lutjes përpara ikonës së Nënë Terezës.
2015, Brazili: Një i ri 25-vjeçar u shërua nga tumori në tru, duke u njohur nga Vatikani si mrekulli e dytë.
Vlerësimi botëror
Në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj, ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi:
“Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve, strehë të pastrehëve dhe arsim atyre që kishin nevojë. Ajo përfaqësonte më të mirën te secili prej nesh.”