Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

3 mijë euro gjobë ndaj policit të akuzuar për keqtrajtim gjatë detyrës

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Rr.M – hetues në Stacionin Policor në Mitrovicë, duke e dënuar me 3 mijë euro gjobë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa, zyrtarja policore T.M, është liruar nga akuza.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve, është shpallur më 12 shtator 2023 nga gjyqtari Xhemajl Jusufi.

Të dy zyrtarët akuzoheshin se në vitin 2020, duke keqpërdorur detyrën zyrtare ose autorizimet publike, kishin keqtrajtuar, frikësuar të dëmtuarin N.B., duke e cenuar dinjitetin e tij.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i akuzuari Rr.M. fillimisht u dënua me gjashtë muaj burgim.

Por, në mbështetje të nenit 44 dhe me pëlqimin e tij, ky dënim i zëvendësohet me gjobë në shumë prej 3 mijë euro.

Ai obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.

Kurse, për të akuzuarën tjetër, shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

“Nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, në bazë të nenit 7 dhe 360 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se i pandehuri Rr.M., ditën kritike, gatë ushtrimit të detyrave zyrtare, si zyrtar policor, e kishte keqtrajtuar të dëmtuarin N.B”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Aty thuhet se nga audio-incizimet, vërehet se e vetmja kërkesë e të dëmtuarit ishte sigurimi i një mbrojtësi.

“Nga provat materiale, përkatësisht audio incizimet, e vetmja kërkesë e të dëmtuarit atë ditë, ishte angazhimi i një mbrojtësi për ta mbrojtur të njëjtin. Prandaj, mbi bazën e kësaj, Gjykata ka konstatuar se i pandehuri e ka keqtrajtuar të dëmtuarin duke i keqpërdorur autorizimet e tij gjatë ushtrimit të detyrave si zyrtar policor”, thuhet më tej.

Në vendim thuhet veprimet e të pandehurit ishin të kundërligjshme pasi gjen se i pandehuri ka fyer dinjitetin personal të të dëmtuarit, duke fyer dhe duke përdorur fjalor banal. Andaj, me këtë i pandehuri ka cenuar dinjitetin personal të të dëmtuarit.

Andaj, Themelorja konstaton se i pandehuri e ka keqtrajtuar të dëmtuarin duke i keqpërdorur autorizimet e tij gjatë ushtrimit të detyrave si zyrtar policor.