
Të premten, mijëra zemra rrahën si një në Potocar.
Mijëra njerëz nga Bosnja dhe nga e gjithë bota u mblodhën për të kujtuar, për të qarë e për të mos harruar, krimin më të madh kundër njerëzimit që nga Lufta e Dytë Botërore, masakrën e Srebrenicës.
Shtatë viktima të tjera, djem që nuk patën kohë të bëhen burra u kthyen më në fund pranë tokës së tyre, në një funeral që është bërë ritual dhimbjeje dhe qëndrese i Srebrenicës.
Në ceremoninë përkujtimore të këtij viti, përkrah dhjetëra zyrtarëve dhe personaliteteve ndërkombëtare, qëndroi edhe Munira Subasic, një nënë që humbi burrin, djalin, dhe më shumë se 20 të afërm.
Ajo nuk kërkoi hakmarrje, por kërkoi drejtësi.
“Ndërsa qëndroj këtu para jush, ju bëj thirrje, na ndihmoni të luftojmë kundër urrejtjes, kundër padrejtësisë, kundër vrasjeve, kundër përdhunimit, kundër dëbimit. Askush nuk ka të drejtë të vrasë fëmijën e askujt. Ndërsa qëndroj këtu, shumë nëna në Ukrainë dhe Palestinë po kalojnë atë që kaluam ne në vitin 1995”, deklaroi Subasic.
Ndërkohë, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë, ku tha se pas tri dekadash, zëri i nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë.
Teksa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnjë dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Më 11 korrik 1995 luftëtarët serbo-boshnjakë pushtuan enklavën lindore boshnjake në muajt e fundit të luftës ndëretnike në vendin ballkanik.
Luftëtarët serbo-boshnjakë i ndanë burrat dhe djemtë myslimanë boshnjakë nga familjet e tyre dhe i ekzekutuan brutalisht vetëm disa ditë pasi morën kontrollin e qytetit që ishte një zonë e sigurt e mbrojtur nga OKB-ja gjatë luftës.
Trupat u hodhën më pas në varre masive rreth Srebrenicës, të cilat u gërmuan me buldozerë dhe u shpërndanë midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimeve të tyre të luftës.
Konflikti në Bosnjë shpërtheu në vitin 1992, kur serbët e Bosnjës rrëmbyen armët në një kryengritje kundër pavarësisë së vendit nga ish-Jugosllavia dhe me qëllim krijimin e shtetit të tyre dhe përfundimisht bashkimin me Serbinë fqinje.
Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe miliona të tjerë u zhvendosën përpara se të arrihej një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në vitin 1995.
Bosnja mbetet e ndarë etnikisht, ndërsa si serbët e Bosnjës ashtu edhe Serbia fqinje refuzojnë të pranojnë se masakra në Srebrenicë ishte një gjenocid, pavarësisht vendimeve nga dy gjykata të OKB-së.