Një kontroll doganor në lidhje me verifikimin e dokumentacionit për një kontingjent të derivateve mori kthesë ndryshe më 23 mars. Pasi u hasën elemente dyshuese në dokumentacion, zyrtari doganor u kërcënua nga një prej përfaqësueseve të derivateve në Kosovë.
Mësohet se bëhet fjalë për 300 mijë litra naftë të cilat janë ndalur në doganë. Informacionet e para vënë në pah se ky kontingjent i derivateve u fut në Kosovë me çmim më të ulët sesa është aktualisht në bursë.
Burime të televizionit potencojnë se nafta ishte blerë me çmime më të ulëta, ndërkohë që në dokumentet e paraqitura, dogana ka ngritur dyshime në vlerën e mallrave dhe parametrat e transaksionit.
Në këtë situatë, Dogana njofton se një zyrtar doganor u kërcënua nga menaxheri i nivelit të lartë të kompanisë.
Dogana e Kosovës këtë kërcënim e vlerëson sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, autoritetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve publike, duke e adresuar në organet gjegjëse, që përgjegjësit të përballen me pasoja ligjore
Nga kompania e apostrofuar ende nuk ka një qëndrim zyrtar, ndërkohë që përfaqësuesit e naftëtarëve hedhin poshtë pretendimet për manipulim me derivate.
“Nuk ka manipulime, kur hyn në doganë hyn me letra prej Shqipërisë. Për tjerat gjëra, dogana e ka për detyrë t’i kontrolloj”, tha Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Dogana e Kosovës nënvizon se do të vazhdojë pa asnjë hezitim ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, duke mbrojtur interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe zbatimin e barabartë të ligjit ndaj secilit operator ekonomik, pa dallim.
