Ndërsa Toka zvogëlohet gjithnjë e më shumë në dritaren e tyre të pasme, dhe i afrohen akoma më shumë Hënës ekuipazhi i Artemis II ka pasur lidhje të vazhdueshme me kontrollin e misionit në Hjuston të Teksasit. Fjalët nga ekipi i NASA-s i kanë dhënë ekuipazhit një “lidhje ngushëlluese” me shtëpinë.
Por kjo lidhje është gati të humbasë.
Ndërsa astronautët do të kalojnë pas Hënës, sinjalet e radios dhe lazerit që lejojnë komunikimin vajtje-ardhje midis anijes kozmike dhe Tokës do të bllokohen nga vetë Hëna.
Për rreth 40 minuta, katër astronautët do të jenë vetëm, secili me mendimet dhe ndjenjat e veta, duke udhëtuar nëpër errësirën e hapësirës. Një moment i thellë vetmie dhe heshtjeje.
Piloti i Artemis, Victor Glover, tha se shpreson që bota do ta shfrytëzojë kohën për t’u bashkuar.
“Kur të jemi pas Hënës, pa kontakt me të gjithë, le ta shfrytëzojmë këtë si një mundësi”, tha ai për BBC Neës para misionit. “Le të lutemi, të shpresojmë, të na dërgoni mendimet dhe ndjenjat tuaja të mira që të rikthehemi në kontakt me ekuipazhin.”
Më shumë se 50 vite më parë, astronautët e Apollos përjetuan gjithashtu izolimin nga humbja e sinjalit gjatë misioneve të tyre në Hënë.
Në vitin 1969, ndërsa Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin bënë histori duke bërë hapat e parë në sipërfaqen hënore, Collins ishte i vetëm në modulin e komandës, duke orbituar Hënën.
