Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka nisur sot një peticion kombëtar për kërkim të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin që po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së në emisionin FIVE, ka theksuar se deri më tani janë mbledhur rreth 4,800 nënshkrime.
“Ne filluam sot me peticionin kombëtar që synon të mbledhë një numër të konsiderueshëm nënshkrimesh nga të gjithë qytetarët shqiptar, në të gjitha trevat shqiptare, si dhe më gjerë në Evropë dhe Amerikë. Prej orës 13:00 deri më tani janë mbledhur rreth 4,800 nënshkrime.
Synojmë që këtë peticion ta dërgojmë në Gjykatë Speciale për t’u treguar gjyqtarëve dhe prokurorëve se kjo gjykatë për ne është e papranueshme, e njëanshme dhe pa drejtësi. Kërkojmë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe gjithmonë thërrasim për drejtësi”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se peticionet janë të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe se nuk ka ndërhyrje në procesin e drejtësisë.
Peticioni do jetë i qasshëm fizikisht por edhe online në uebsite-in e paraqitur sot gjatë mbledhjes.
