Doktor Ylli Ziçishti, një nga mjekët më humanistë që ende jetojnë dhe kontribuojnë në sistemin shëndetësor në Shqipëri, u përlot gjatë intervistës së tij në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Ishin fjalët e zemrës së bashkëshortes së tij, dy fëmijëve Nikut dhe Kristit dhe nipit të tij, që thyen zemrën e një kirurgu.
Edukata, dashuria, kultura por dhe këshillat ishin ato që e mbajtën të fortë edhe kur dallgët e jetës dukeshin të pamundura për t’i mposhtur familjen Ziçishti.
Pjesë nga biseda:
Linda: Përshëndetije Ylli im, u bënë 50 vite që jemi bashkë. Isha 20-vjeç, ti 25, u dashuruam u rritëm bashkë u bëmë prindër, u bëmë gjyshër. Jeta na hodhi dallgë të fuqishme por ne e përballuam shumë mirë, ja ku jemi sot, gjyshër, familje të mëdha. Ehhh si është jeta, është e bukur me gjithë vështirësitë. Kemi Johanin, Gregun, Nikun, Kristin, Fabin, Vivin. Zoti na dha shëndet. Ti më thua me të qeshur Linda po të isha 25 unë prapë ty do të zgjidhja, nuk të ndërroj me asgjë tjetër. Edhe unë të them që edhe prapë të isha 20 prapë ty do të zgjidhja, faleminderit që je, faleminderit Zotit që jemi kaq të mirë me njëri-tjetrin, me fëmijët, me miqësitë me shoqëritë.
Borakaj: Fjalë shumë të bukura?
Ziçishti: Shumë
Borakaj: Keni qenë romantik?
Ziçishti: Jo.
Borakaj: Në mos gaboj bashkëshortja ka patur ditëlindjen para disa ditësh.
Ziçishti: Po në 30 shtator.
Borakaj: Jep dhurata, shprehesh kaq bukur?
Ziçishti: Po patjetër
Borakaj: Çfarë do t’i thuash tani.
Ziçishti: E kam dash siç e dua gjithmonë.
Borakaj: Gjithmonë si herën e parë. Ka qenë ajo që ka sakrifikuar shumë?
Ziçishti: Po shumë, sidomos për ata dy kalamajtë që më ka dhënë.
Borakaj: Kemi një mesazh nga Niku.
Niku: Ishin vitet 86-87, isha i vogël, mbaj mend që babi Ylli vinte në 12 të natës gjithmonë, dhe më ikte prapë natën. Dhe kur më pyesnin shokut pasi nuk e kisha prezent gjatë ditës, që ku të punon babi? Dhe nga përrallat që kishim mësuar në kopësht, i them që e kam partizan. Dikush e dëgjoi dhe pyet mamanë çfarë puni bën burri është oficer.
Nipi: Gjysh jam krenar që jam nipi jot të dua shumë.
Borakaj: Vite të vështira por nuk ka kënaqësi më të madhe.
Ziçishti: Janë pasuria. Çunin e lashë 1-vjeç nuk e gëzova, kurse goca duket sikur bën më tepër. Edhe ajo punon, më bëhet qejfi që punojnë. Nuk i tremben punës as çuni dhe as goca, aty nuk duron dot babai.
Borakaj: Je gati për një emocion më të fortë.
Kristi: I dashur babi Ylli, e mban mend kur zgjoheshe në mëngjes më puthje në ballë. Ktheheshe shumë i lodhur nga puna, por për mua kishe kohë të luaje, të më mësoje, të bënim shaka, të mi përgjigjeshe shakave pa fund. E mban mend kur të vura akull në kurriz në gjumin e drekës dhe ti u zgjove i trembur, por nuk më bërtite fare madje qeshje. Po kur vije në takime me prindër e ndonjë mësuese të thoshte ka shpirtin kundërshtimin e kundërshtimit ko vajzë, ti nuk thoje gjë, madje të bëhej qejfi. Për ty ba isha më e mira, më e bukura, Kristi jot. Në ditët kur qaja pa fund ti më thoje pse mërzitesh o ba, çfarë nuk kam kaluar, më hoqën nga familja, më ndan nga vëllai jo, nga mami jot, më çuan larg prej tyre dhe përsëri ja dola, kështu është njeriu. Kështu babi unë të kam ty. Unë tani kam krijuar familjen time, por ti më ke mësuar që paraja është asgjë, dashuria, virtytet kanë rëndësi në jetë. Kur më pyesnin se çfarë pune të bën babi, dhe u thoja kirurg, ata imagjinonin vilën tonë me pishinë, por në fakt ne jetonim në një apartament modest në rrugën e Durrësit. Sa herë shkonim me pushime, kishte një radhë të gjatë me njerëz që të prisnin, dhe ti bushi im babaxhan i vizitoje të gjithë pa e prishur kurrë buzëqeshjen. Kur u operove dhe ti ishe në spital e kishe të pamundur mos i shikoje njerëzit e tjerë aty. Ti na mëson çdo ditë të punojmë me ndershmëri, sepse siç e thua gjithmonë e bën gjumin rehat baba. Ti ba e urren babëzinë. Unë dhe Fisniku punojmë fort çdo ditë me pasionin për të ndryshuar për mirë komunitetin ku jetojmë. Ba të jesh vajza jote ëhstë fat shumë i madh, por edhe përgjegjësi shumë e madhe. Të dua shumë ba.
Ziçishti: Nga mos jesh krenar për gruan dhe këta dy kalamaj.
