Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në Suharekë, ku një 76-vjeçar humbi jetën pasi pësoi lëndime të rënda në kokë nga një rrëzim.
Sinjali mëson se viktima është Avdyl Kryeziu, rreth 76-vjeçar.
Sipas burimeve, rreth orës 15:05, Policia u njoftua nga QKMF-ja në Suharekë se në Urgjencë ishte dërguar një person me lëndime në kokë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai u transferua për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Megjithatë, rreth orës 16:25, autoritetet u informuan se Avdyl Kryeziu nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve dhe kishte ndërruar jetë në spital.
Gjatë veprimeve hetimore është identifikuar një dëshmitar, punonjës në Qendrën Ditore për të Moshuarit, i cili ka deklaruar se viktima kishte ardhur në lokal në gjendje të dehur dhe, sapo kishte dalë jashtë, ishte rrëzuar para objektit, duke goditur kokën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e stacionit dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
