Me rastin e 77-vjetorit të themelimit të NATO, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar aleancën si një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë dhe sigurisë.
Begaj theksoi se NATO mbetet simbol i unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe duke forcuar sigurinë euroatlantike në një botë gjithnjë e më sfiduese.
Duke u ndalur te roli i Shqipërisë, ai u shpreh se prej 17 vitesh vendi është pjesë krenare e kësaj aleance, duke kontribuar në mënyrë aktive në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Sipas tij, rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe angazhimi në misione dhe operacione të NATO-s dëshmojnë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave të përbashkëta dhe mbrojtjes kolektive.
